Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka njoftuar se në javën e ardhshme do të ndihmohet nga ekspertë nga Komisioni Evropian lidhur me pretendimet se në Kosovë është krijuar një kartel i ndërmarrjeve që kanë mbajtur lartë çmimin e naftës.
Valon Prestreshi, drejtor i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, ka thënë se tashmë kanë “të gjitha informatat relevante nga institucionet përkatëse rreth shqetësimeve të ngritura nga qytetarët, mediat dhe shoqëria në përgjithësi rreth pretendimeve të tyre rreth një karteli potencial të ndërmarrjeve të cilat afarojnë me derivate të naftës”.
“Këto informata janë duke u përpunuar me shumë kujdes nga hetuesit tanë, bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, gjithashtu nga java e ardhshme do të marrim ndihmë edhe nga ekspertët e Komisionit Evropian, ku ne si Autoritet jemi përfitues të projektit IPA, dhe gjatë javëve në vijim Autoriteti do të dal me raportin përfundimtar”, ka njoftuar ai.
AKK po ashtu ka njoftuar për Programin e Lehtërisave, Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, përkatësisht nenin 60 që parasheh se mund të lirohet ose zvogëlohet masa ndëshkuese të ndërmarrjeve nëse ato: “Me qëllim të zbulimit të shkeljeve më të rënda të këtij ligji, Autoriteti mund të liroj nga masa ndëshkuese atë pjesëmarrës në marrëveshjet e ndaluara horizontale -kartel i cili i pari e njofton Autoritetin për kartelin dhe i ofron të dhëna, fakte dhe prova të cilat i mundësojnë fillimin e procedurës ose pjesëmarrësit të parë në kartelë e cila Autoritetit i ofron prova që mundësojnë konstatimin e shkeljes së këtij ligji, në rastet kur Autoriteti ka filluar procedurën, mirëpo nuk ka pas fakte të mjaftueshme për përfundimin e saj ose konfirmimit të kartelit”.