Nuk ka të dhëna zyrtare të përditësuara, as në Prishtinë, as në qendrat e tjera komunale, për lëvizjen e çmimeve në sektorin e ndërtimit as për numrin e shitblerjeve të banesave dhe të patundshmërive të tjera. Megjithatë, nga të dhëna të ndryshme të ndërtimtarëve, të agjencive të shitblerjes së paluajtshmërive, të vrojtuesve dhe njohësve të tregut të banesave dhe të paluajtshmërive në vend, bien në sy çmime të reja të ngritura të banesave përkundër rënies evidente të shitblerjes së tyre.
Mehmet GJATA
Në Kosovë, ende nuk ka të dhëna të sakta dhe të përditësuara për zhvillimet në sektorin e ndërtimeve. Nuk dihet saktësisht për numrin e ndërtimeve në nivel të vendit, për ndërtimet në komunat e Kosovës, për koston e këtyre ndërtimeve as në kryeqytet madje as në komuna, por as për çmimin final të produkteve ndërtimore në vend.
Të dhënat që publikohen herë pas here nga përfaqësues të ndërtimtarëve, qoftë për vëllimin e ndërtimeve në vend, qoftë për koston e këtyre ndërtimeve, janë shumë të ndryshme nga statistikat e institucioneve zyrtare, të cilat rëndom janë të vonuara dhe të vjetruara, që do të thotë jo edhe aq relevante në momentin e bërjes publike të tyre. Prandaj, në analizat, studimet dhe vlerësimet e pakta, në mungesë të statistikave zyrtare të përditësuara dhe të verifikueshme, janë prezente edhe të dhënat e vjetërsuara, të dy-tre vjetëve të mëparshme). Ndërsa, në studime dhe raporte të shumta të institucioneve ndërkombëtare, qoftë zhvillimore, qoftë financiare, siç janë Fondi Ndërkombëtar Monetar dhe Banka Botërore, te të dhënat për Kosovën, shpesh haset njoftimi “mungojnë të dhënat për Kosovën”. Kështu, për dallim nga bota, por edhe nga shtet e rajonit, në Kosovë ka fare pak mundësi për të parë saktësisht (me shifra dhe me përqindje) se sa është varësia e ekonomisë ndaj sektorit të ndërtimit, cila është ecuria e çmimeve të banesave në kryeqytet dhe cilat janë çmimet në komuna të ndryshme, cilat janë parashikimet dhe vizionet konkrete të ndërtimtarëve të vendit dhe sa është numri, së paku i përafërt, i njësive banesore të shitura dhe të pashitura tashmë dhe sa për qind të paluajtshmërive kanë blerë banorët rezidentë dhe sa mërgimtarët tanë.
Në Kosovë, nuk dihet saktësisht sa ishin transaksionet e pasurive të paluajtshme gjithsej më 2023, as në gjashtëmujorin e parë të 2024-tës, as sa janë shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Në Shqipëri, bie fjala, por edhe në të gjitha shtetet e tjera të rajonit, evidentojnë me të dhëna, pothuajse të gjitha zhvillimet edhe në sektorin e ndërtimit. Shpenzimet nominale për ndërtimin në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) në vitin 2023 në Shqipëri, ishin 19.1%, nga 18.8% në vitin paraprak. Kjo shifër është më e larta në Europë, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Europian për këtë tregues është rreth 11%.
Në rajon, pas Shqipërisë renditet Maqedonia e Veriut, me 13.3%, e ndjekur nga Bosnja me 2.5%, Mali i Zi 11.4% dhe në fund Serbia me 9.6%. E fundit në Europë është Greqia, shpenzimet nominale të së cilës për ndërtimin ishin vetëm 4.9% e PBB-së. Dhe, nuk dihet se në cilin vend renditet Kosova.
Të dhënat e tjera të INSTAT bëjnë të ditur se ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme në Shqipëri ndikuan në gati 50% të rritjes ekonomike prej 3,44 për qind të shënuar më 2023. Ndërsa, Banka e Shqipërisë ka raportuar një rritje prej 16.9% të çmimit të banesave në rang vendi në gjashtëmujorin e parë 2024, ndërsa shitjet në Tiranë regjistruan gjithashtu një rritje prej 23.5% ndaj periudhës paraardhëse. Por në Kosovë, pak kush e di, ose së paku nuk është bërë publike deri më tash, se sa ka ndikuar sektori i ndërtimit në rritjen ekonomike, as në vitin a kaluar, as sivjet deri në qershor, apo në gusht. Nuk ka të dhëna zyrtare as në Prishtinë, as në qendrat e tjera komunale, për lëvizjen e çmimeve në sektorin e ndërtimit as për numrin e shitblerjeve të banesave dhe të patundshmërive të tjera. Megjithatë, nga të dhëna të ndryshme të ndërtimtarëve, të agjencive të shitblerjes së paluajtshmërive, të vrojtuesve dhe njohësve të tregut të banesave dhe të paluajtshmërive në përgjithsësi në vend, në Kosovë, është e ditur se përkundër të gjitha sfidave me të cilat po përtballet ndërtimi, po ndërtohet jo pak, si në kryeqytet, në periferinë e Prishtinës, por edhe në qendrat komunale.
Disa statistika të para tre-katër muajve të Eurostat-it flasin se në asnjë vend të Europës, sektori I ndërtimit nuk po lulëzon si në Shqipëri dhe në Kosovë. Përkundër ngopjes së tregut me banesa dhe rënies evidente të shtitblerjes së tyre, çmimeve vazhdimisht në ngritje të një metri katror të banesave kolektive, lëvizshmërisë së çmimeve të materialit ndërtimor, por edhe emigracionit evident dhe numerikisht tronditës, në Kosovë vazhdon të ndërtohet shumë dhe pandalshëm.
Në një raport për strehimin, të bërë publik në fillim të këtij viti, Eurostat ka paraqitur të dhëna më konkrete të madhësisë së matur të sektorit të ndërtimit për gjithë Europën. Kjo matje është bërë përmes vlerës së shtuar bruto (VSHB) të gjeneruar nga ky aktivitet ekonomik si pjesë e VSHB-së totale (prodhimi në ekonomi pa përfshirë taksat). Sipas raportit të Eurostatit, treguesi i shkallës së ndërtimeve është ndër më i larti në Shqipëri.
Në vitin 2022, ndërtimi në Shqipëri zinte 11.1% të vlerës së shtuar bruto, më e larta në Europë dhe dy herë më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Europian. Ndërsa, i vetmi vend që “konkurron” Shqipërinë dhe që rangohet shumë afër saj, si e dyta, është Kosova, që praktikisht vazhdon të shfaqë të njëjtën tendencë si Shqipëria me ndërtime të larta në kryeqytet dhe në qendrat e shumta komunale.
Ndërtimi në Kosovë, sipas raportit të Eurostatit zinte 10.7% të vlerës së shtuar bruto në 2022. Ndërsa njohësit e tregut të banesave dhe të paluajtshmërive në përgjithsësi në vend, kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se pavarësisht rënies në përqindje goxha të madhe të shitblerjeve të banesave dhe patundshmërive në vitin që shkoi (sipas Indeksit të Çmimeve të Pronës Banesore, nga ASK-ja, në gjashtë muajt e parë të 2023-tës janë shitur 1.628 banesa, krahasuar me 4.967 sa janë shitur në krejt vitin 2022 dhe me 6.561 në vitin 2021), në Kosovë po ndërtohet, madje jo pak. Dhe kur ka ndërtim kaq shumë, logjikisht ka edhe treg, përkatësisht ka shitje të banesave.
Ndërkohë, edhe çmimet e banesave në gjithë vendin, vazhdojnë të ngriten dhe nuk ka as tendencë për uljen eventuale të tyre, siç po veprohet në Europë, bie fjala. Një pronar i një agjencie të shitblerjes së patundshmërive, i ka thënë Buletinit Ekonomik se edhe në këtë vit, madje edhe në muajt e verës, ka lëvizje çmimesh të paparalajmëruara fare, respektivisht ngritje në përqindje të dukshme të një metri katror të banesave në heshtje nga ndërtuesit. Tani banesat më larg qendrës së kryeqytetit, që para gjashtë muajsh kishin çmimin 1000 deri në 1,100 euro për një metër katror, e kanë ngritur këtë çmim në 1,200-1,250 euro për metër katror. Ky çmim, sipas tij, vlen për blerësit që blejnë me para të gatshme, ndërsa për ata që kontraktojnë blerje banese nëpërmjet pagesës me kredi, ose, sipas marrëveshjes me ndërtimtarin, me rata, një metër katror, nuk mund ta gjejnë nën 1,300 euro, në raste edhe më lartë.
Tani, një metër katror i një banese në afërsi të drejtëpërdrejtë me qendrën, por edhe në zonat dikur periferike të kryeqytetit, siç është zona e Arbërisë, andej kah Kosovafilmi, një metër katror ka arritur në rreth 2 mijë euro , çmim ky që në vitin 2021 sillej nga 750 deri në 850 euro. Sipas ndërtimtarëve, tashmë, hovi i ndërtimit ka rënë paksa në kryeqytet, edhe në periferinë e tij, por po ndërtohet akoma shumë në disa qendra komunale, sidomos në ato, ku deri së voni nuk kishte shumë ndërtime. Në këto qendra, komunale, ku po ndërtohet hovshëm, sipas ndërtuesve dhe agjencive të tregtimit të paluajtshmërive, ka edhe shitblerje numerikisht të imponueshme. Në Podujevë, bie fjala, deri në 3-4 vjetët e fundit e pa shquar për nga ndërtimi i banesave, tani po ndërtohet shumë, por edhe çmimet e banesave janë po ashtu të ngritura, ndjeshëm. Një metër katror i një banese në dy komplekse banesash që po ndërtohen nga kompanitë ndërtimore “Malësia” dhe “Flori” në një zonë që vlerësohet si shumë atraktive dhe joshëse dhe që shtrihet përgjatë lumit Llap në ish-prona të Blakqorëve dhe që gjenden shumë pranë qendrës së qytetit, ka kushtuar që në nismën e ndërtimit 1 mijë dhe 1 mijë e një qind euro. Dhe, duhet thënë se ky çmim është shumë më i lartë se sa çmimimet e banesave në fillim të 2023-tës dhe gjatë tërë vitit 2022 (në Podujevë më 2022 dhe në fillim të 2023-tës, çmimi mesatar i një metri katror ka kushtuar 600 deri në 650 euro, e shumë-shumë edhe 700 euro), mirëpo, blerësit e shumtë, sipas analistëve të tregut të ndërtimeve në Podujevë, praktikisht kanë ngarendur për t’i blerë ato.
Ndërtimtarët kosovarë, në të gjitha bisedat e bëra nga Buletini Ekonomik, kanë thënë këto ditë se as që mund të bëhet fjalë për ndonjë ulje çmimi të banesave.
“Ato vetëm mund të shkojnë më lartë.”
Sipas tyre, tani janë shumë me çmime më të larta shumica e materialeve ndërtimore, por edhe tokat e dedikuara për ndërtime kanë çmime “’të kripura’ dhe pronarët ose kërkojnë çmim shumë më të lartë, ose në rast të këmbimit të trollit me banesë, sipërfaqe më të madhe banesash”, thotë një nga ndërtimtarët podujevas.
Sipas tij, ngritjen e çmimeve të banesave tani e dikton edhe cilësia e ndërtimeve dhe përdorimi i materialeve më të dëshmuara deri në finalizim, natyrisht edhe tregu, dhe këtë e dëshmon interesimi i madh për të pasur banesa në komplekset e e reja të nisura në Podujevë. Po ndërtohen numerikisht shumë njësi banesore edhe në Lipjan, në Ferizaj, në Obiliq, në Vushtrri, në shumicën e qendrave komunale të Dukagjinit, në Anamoravë, sado që jo me intenzitetin e para dy-tre vjetëve.
Në Shoqatën e Ndërtimtarëve të Kosovës dhe agjencitë e patundshmërisë, thonë se rritja e çmimeve të shitjes dhe qirave të banesave ka ndodhur për shkak të çmimeve të ngritura të materialeve ndërtimore. Ata madje theksojnë se kjo rritje e çmimeve të materialeve ndërtimore është pothuajse 100 për qind në krahasim me vitin 2020, por edhe zyrtarët e këtij asociacioni e theksojnë ndikimin në ngritje të çmimit të banesave, cilësinë, dhe futjen e materialeve të prodhuesve të njohur të Europës, në vend të materialeve kineze.
Ndërtimtarët, apo kompanitë ndërtimore që kanë treg më të madh në Prishtinë, theksojnë se çmimi i ngritur i banesave është kryekëput si pasojë e ngritjes së çmimeve të materialit ndërtimor dhe i kostos së ndërtimit të një banese. Mirëpo, për koston e lartë të banesave në Kosovë, sikundër edhe në gjithë rajonin, ndërtimtarët tani e llogarisin si ndër më vendimtarin çmimin shumëfish të ngitur të tokave, që po kështu ka shkuar në qiell dhe si i tillë është bërë përcaktues i çmimit të një banese.
Tokat ndërtimore në kryeqytet dhe përreth dhe në disa qendra të tjera komunale tashmë thuaja janë bërë të paprekshme. Aktualisht një ari tokë në pjesët më afër qendrës së Prishtinës, tregtohet me çmim marramendës, por çmimet e tokave tashmë kanë arritur në qiell edhe në disa vendbanime më herët të vlerësuara fare periferike nga Prishtina. Këto ditë, bie fjala, në Bresje të Fushë-Kosovës dhe në Çagllavicë, një ari tokë në një vend paksa më pikant, nuk mund ta gjesh nën 20-25 mijë euro. Ka shkuar në qiell, sidomos çmimi i tokave që tani janë bërë të afërta me komplekset e ndërtimit të banesave kolektive, por edhe të hapësirave dhe godinave për biznes. Por, po kështu është evidente se në mbarë Kosovën, në kryeqytet sidomos, por edhe në qendrat e tjera komunale, ka kohë që ka numër të madh banesash në treg, ka numër enorm të banesave të pabanueshme (me roleta gjithmonë të mbyllura), ose banesa bosh, që nuk u dihet pronari.
Megjithë këto zhvillime në sektorin e ndërtimit në Kosovës, krahas dominimit të ofertës dhe çmimeve enorme të larta për rrethanat kosovare, ka në të njëjtën kohë edhe goxha kërkesa për shtiblerje, qoftë nga mërgata, por edhe nga kosovarët rezidentë. /Buletini Ekonomik/