Revista e njohur ”Forbes” i kushton një reportazh bunkerëve në Shqipëri dhe përpjekjeve të ndryshme arkitekturore për t’i kthyer ato në shërbim të turizmit dhe të komunitetit.
”Zonat rurale të Shqipërisë dhe luginat nëpër male janë të mbushura me mijëra bunkerë të vegjël prej betoni. Këta bunkerë u ndërtuan nga viti 1960 deri në 1980, gjatë sundimit komunist të Enver Hoxhës.
Në fakt, Shqipëria ka pasur një histori të trazuar të pasluftës duke u armiqësuar me të gjithë aleatët e saj potencialë për tre dekada, në fillim jugosllavët, më pas sovjetikët dhe në fund kinezët, në një seri çarjesh diplomatike dhe ideologjike.
Duke iu trembur një pushtimi nga Jugosllavia, Greqia, NATO-ja, madje edhe nga ish-aleati Bashkimi Sovjetik, Hoxha ishte i bindur se në vend që t’i besonte taktikave të partizanëve që çliruan Shqipërinë gjatë LIIB, ai duhej të mbronte të gjithë vendin njëkohësisht. Për pasojë Hoxha aplikoi politikën e “bunkerizimit” që u aplikua me ndërtimin e mijërave bunkerëve në të gjithë vendin.
Parimi ishte që, në vend që të mbështetej në një ushtri profesioniste, çdo shqiptar duhej të merrte armët dhe të strehohej në bunkerin më të afërt në rast pushtimi. Por sigurisht, pushtimi nuk erdhi kurrë dhe kostot e ndërtimit të bunkerëve ishin një harxhim i burimeve të Shqipërisë, si në aspektin e të mirave materiale dhe të orëve të punës për të planifikuar, ndërtuar dhe trajnuar për përdorimin e bunkerëve.
Bunkerët u braktisën pas rënies së shtetit komunist dhe shumë sot janë vetëm relike. Por duke parë sasinë e tyre, shumë shqiptarë i kanë kthyer ato në prona të patundshme gjatë këtyre dekadave. Keq Marku Djetroshan, një artist që bën tatuazhe, e ka kthyer një bunker në Shkodër në një sallon për tatuazhe.
Shumë bunkerë të tjerë janë bërë pjesë e jetës së qyteteve duke u shndërruar piceri, bare madje edhe hostele. Përdorimi i tyre ka tërhequr interesin e shumë arkitektëve shqiptarë dhe të huaj. Saimir Kristo, profesor i arkitekturës dhe zëvendësdekan në universitetin POLIS në Tiranë ka qenë pjesë e ekipit në projektin ambicioz “Bed & Bunker”.
Një projekt kërkimi mes universitetit POLIS dhe FH-Mainz në Gjermani “Bed & Bunker” bashkoi profesorë dhe studentë nga të dyja institucionet që punuan për të ridizenjuar bunkerët ekzistuese në hostele, me krevate dhe mëngjes për turistët.
“Shqipëria është një vend i bukur… bunkerët mund të shërbejnë për të akomoduar turistët. Ata mund të kryejnë funksione të ndryshme si të jenë muze të vogla apo hapësira ekspozimesh. Mundësitë janë të pafundme”, thotë Saimiri.
“Potenciali ekonomik i bunkerëve të papërdorur për mendimin tim është i pafund. Jo vetëm për qëllimin që të kthejnë bunkerët në hapësira funksionale të përdorura nga individët, por për shkak të numrit të tyre të lartë, ato përfaqësojnë vlera të tjera për Shqipërinë në aspektin ndërkombëtar”, thekson ai.
Arkitekti shqiptaro-kanadez Elian Stefa është pjesë e një projekti të ngjashëm si “Bed & Bunker”, që titullohet “Concrete Mushrooms” (Kërpudha Betoni), që prezanton propozime konceptuale dhe guidë për konvertimin e bunkerëve të braktisur.
Rritja e projekteve për ribunkerizimin i drejtohet krejtësisht turizmit, që është një histori suksesi në Shqipëri në vitet e fundit. Duke njohur një rritje eksponenciale në fillim të kësaj dekade dhe me vazhdimin e një rritje të konsiderueshme edhe sot, ”natyra pjellore” e bunkerëve të Shqipërisë do të thotë se ekzistojnë infrastruktura lehtësisht të përshtatshme në të gjitha destinacionet tërheqëse natyrore të vendit.
Megjithatë, vazhdimësia e skemave të tilla në shkallë të gjerë është vënë në dyshim. Mes përplasjeve që nga fundi i sundimit komunist dhe kriza e vitit 1997 që erdhi për shkak të skemës shkatërrimtare dhe të pa kontrolluar të piramidave, shumë bunkerë shqiptarë janë shkatërruar.
Pavarësisht kësaj, profesor Kristo është optimist për të ardhmen e ruajtjes dhe zhvillimit të bunkerëve, shkruan atsh.
“Është për të ardhur keq që disa prej tyre janë shkatërruar kryesisht për t’u shitur për skrap nga individë të ndryshëm. Duhet të merren masa për t’i mbrojtur, individualizuar dhe për të filluar plane për t’i ripërdorur ato. Bunkerët janë struktura kontroverse për shkak të asaj që përfaqësonin në të kaluarën. Megjithatë, kemi arritur t’i kthejmë ish-simbole të luftës dhe mbylljes së Shqipërisë në simbole të paqes dhe mikpritjes”, thekson ai.
Që prej prillit 2016, “Bunk’Art”, një ish-bunker i ngritur nga Hoxha dhe bashkëpunëtorët e tij, është kthyer në një muze bashkëkohor arti dhe historie ku priten ekspozime dhe është një nga pikat më interesante në Tiranë”, transmeton GR shkrimi n e ”Forbes-it”.