Afro 100 milionë euro, para të kursimeve pensionale të Kosovës i kanë humbur për një vit kosovarët. Krejt kjo pasi Fondi i Kursimeve Pensionale, ka përmbyllur vitin 2018 me kthim negativ të investimeve në tregjet ndërkombëtare.
Duke pasur parasysh se viti 2018 ka nisë me çmim të njësisë nga 1.4648 euro ndërsa është përmbyllur me 1.3847 euro për njësi, vërehet një rënie e çmimit të njësisë, e cila mund të përkthehet në rënie të vlerës së fondit pensional në shumën prej 89 milion euro, shkruan gazeta inFokus.
Kjo sipas njohësve të ekonomisë nuk është vërejtur nga qytetarët e Kosovës, por ata do të kenë në total më pak para në llogaritë e tyre.
Medain Hashani, profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB, ka ngritur si shqetësim humbjen e këtyre mjeteve dhe ka kërkuar nga Bordi i Fondit të Kursimeve Pensionale përgjegjësi për një keq-menaxhim të tillë dhe mos orientim të duhur të investimeve.
“Kjo papërgjegjësi duhet të analizohet nga ana e Kuvendit të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Kosovës dhe të merren masat për tejkalimin e kësaj situate jo të favorshme për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Hashani.
Gazeta inFokus është në pritje të përgjigjeve nga zyrtarët e Fondit, për të sqaruar se çfarë ka quar në humbjen e vlerës së fondit pensional.