Infermierët e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kanë filluar protestën para Klinikës së Kirurgjisë.
Ata po protestojnë kundër Ligjit për Paga. Sipas tyre, është i patolerueshëm trajtimi që po iu bëhet me këtë ligj dhe ju bëjnë thirrje deputetëve që në seancën për votimin e projektligjit të kenë parasysh kërkesën e tyre.
Kërkesa e tyre e vetme është të kenë koeficient të dinjitetshëm dhe paga të dinjitetshme. Më 25 janar, infermierët e QKUK-së kanë protestuar për koeficientin e ri të pagës. Ata kanë kërkuar që koeficienti i tyre të jetë mbi 2.4. Kryesia e Kuvendit dje ka vendosur që të shtunën, më 2 shkurt, të ketë seancë për buxhetin, duke filluar nga ora 10:00.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka njoftuar se në këtë seancë do të diskutohen nëntë pika në rendin e ditës, ndërkaq ka thënë se do të diskutohet edhe Ligji për Paga, me qëllim të funksionimit të sektorëve publik në Republikën e Kosovës.