Rezultatet që marrin nxënësit në testin e PISA-s janë direkt të lidhura me cilësinë e mësimdhënësve të tyre, thuhet në raportin “Ndikimi i Cilësisë së Mësimdhënësve dhe Burimeve Shkollore në Rezultatet e Nxënësve Kosovarë”, i hartuar nga Rrjeti i Kosovës për Arsim dhe Punësim (KEEN).
Gjetje interesante e këtij raporti, i cili analizon rezultatet e PISA-s për nxënësit kosovarë, është fakti se në mënyrë që nxënësit të kenë rezultate më të mira, është e rëndësishme që mësimdhënësit jo vetëm të mbajnë orën e mësimit, por edhe të përgatiten mirë për të dhënë mësim, shkruan Buletini Ekonomik.
“Në rastet kur drejtorët pretendonin se mësimdhënia në shkollë pengohet nga personeli mësimdhënës me kualifikime të papërshtatshme ose jocilësore dhe i papërgatitur, nxënësit arritën 2.4 pikë më pak në testin e leximit krahasuar me nxënësit që vijojnë shkollat ku drejtorët raportonin se kishin mësimdhënës të kualifikuar. E njëjta tendencë vërehet edhe në vendet e OBZHE-së”, thuhet në raport.
Siç shihet edhe në tabelë, pikët mesatare në testin e leximit priren të bien kur drejtorët pretendojnë se mësimdhënia në shkollë pengohet nga personeli mësimdhënës me kualifikime të papërshtatshme ose jocilësore.
“Përgatitja e mirë e mësimdhënësve lidhet me aktivitetet e organizuara në klasë dhe me metodat që përdoren për të shpjeguar temat që lidhen me shkollimin. Nëse mësimdhënësi u jep nxënësve komente për pikat e tyre të forta, atëherë nxënësit në test fitojnë 3 pikë më shumë krahasuar me nxënësit që nuk marrin komente apo vlerësime nga ana e mësimdhënësve që ju tregojnë nxënësve si të përmirësohen”, thuhet tutje në raport. /Buletini Ekonomik/