Rukiqi: Rritja e pa kontrolluar e pagave ndikon negativisht në sektorin privat

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një intervistë për emisionin “EKONOMI” në Telegrafi.com me gazetarin Lulzim Ahmeti, ka thënë se rritja e pagave duhet të lidhet me performancën e të punësuarve nëpër sektorë.

Sipas tij, rritja e pakontrolluar e pagave do të kishte ndikime negative edhe në sektorin privat.
“Besoj se rritja e pagave në arsim, shëndetësi, ndërmarrjet publike duhet të kenë së paku një standard që rritja të lidhet me performacë, në të kundërt krijojmë dembelizëm, pasiguri dhe do të ketë implikime buxhetore”, tha Rukiqi.

Sipas tij, gjendja politike në vend ndikon edhe te bizneset. “Çdo bllokadë politike ndikon në bizneset, kriza politike po ndikon në sigurinë e bizneseve. Ne e kemi paralajmëruar se rritja e pakontrolluar e pagave, skemave sociale do të ndikojnë negativisht dhe janë penguese për sektorin privat”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Po ashtu, Rukiqi ka folur edhe për efektet e taksës 100%, privatizimin e Telekomit, gjendjen e Trepçë si dhe ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. /Telegrafi/