Shqipëria eksportoi në Kosovë 44.5% më shumë në dhjetor 2018 sesa një vit më parë

Bllokada ndaj mallrave të Serbisë e Bosnjë-Hercegovinës, aplikuar nga Qeveria e Kosovës që nga 21 nëntori i vitit që sapo lamë pas, ka dhënë efektin e saj në Shqipëri vetëm krahasuar me vitin 2017, por jo me muajt paraardhës kur taksa ndaj produkteve serbe nuk ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës.

Kështu që, Shqipëria ka rritur eksportet në Kosovë në masën 44.5% për muajin dhjetor, krahasuar me dhjetorin e vitit 2017.

Megjithatë, vlera e eksporteve të muajit dhjetor është rreth 3 milionë euro më e vogël se ajo e muajit paraardhës, nëntorit, dhe 6.4 milionë euro më e vogël se shifra e muajit tetor, ku produktet serbe hynin lirisht në Kosovë.

Reklama e sponzorizuar

Instituti Shqiptar i Statistikave (INSTAT) ka bërë të ditur se vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me dhjetorin 2017-s janë: Kosova (44,5 %), Spanja (9,9 %) dhe Gjermania (7,1 %). Shqipëria për e dhjetorin e vitit 2017 ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 11.9 milionë eurosh, ndërsa për dhjetorin e vitit 2018 ka eksportuar 17.2 milionë euro mallra.

Edhe për vitin 2018, Shqipëria rritjen më të madhe të eksporteve e ka shënuar me Kosovën, duke regjistruar një rritje me 29.5%, ndërsa vendin e parë e mban Spanja me një rritje prej 61.2%.