AKB: BE-ja po frikëson investitorët në Trepçë

Aleanca Kosovare e Bizneseve reagon ashpër ndaj zyrtarëve të BE-së se kinse Trepça duhet të jetë temë e Dialogut Kosovë-Serbi.

“Me këtë BE-ja ka provokuar dhe paragjykuar përfundimin e dialogut në dëm të Kosovës por njëkohësisht deklarata e Maja Kocijançiçit ka frikësuar dhe mund ta zmbrapsë interesimin e Investitorëve potencial që të investojnë në Trepçë”, thuhet në komunikatën e AKB-së, transmeton Koha.net.

Në bazë të Ligjit për Trepçën, AKB-ja thotë se Kosova i ka hap mundësi investitorëve vendorë dhe të huaj për të bashkuar kapitalin në këtë aset i cili ka nevojë për rivitalizim dhe investime të reja.

Reklama e sponzorizuar

Tentimi për tërheqje nga deklarimi se kinse BE-ja nuk propozon tema por ajo mbështet dialogun për temat të cilat merren vesh Kosova dhe Serbia është në kundërshtim të plotë me pozicionin nga deklarimi i djeshëm.

BE në shumë raste e ka mbështet Kosovën, por në procesin e integrimit dhe liberalizimit të vizave për Kosovën ka përdor standarde të dyfishta dhe ka humb kredibilitetin tek komunitetit i Biznesit në Kosovë.

AKB thekson se “Trepça” nga institucionet e Kosovës, në asnjë moment nuk guxon që të jetë temë e negocimit në Bruksel.