AKP u mbetet borxh 13 paga punëtorëve të Llamkosit

Punëtorët e fabrikës Llamkos në Vushtrri do të organizojnë një protestë të premten për të kundërshtuar shitjen e kësaj fabrike pa kushte.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të “Llamkosit”, Ragip Hasani, ka thënë se reagimi i punëtorëve ka ardhur pas vendimit të fundit të Gjykatës Ekonomike që ndërmarrjen “Llamkos” ta vërë në shitje pa kushte.

Reklama e sponzorizuar

“Të premten në ora 13 do të protestojmë para Komunës së Vushtrrisë. Kërkesat tona janë që fabrikës mos t’i ndërrohet destinimi dhe kthimi i punëtorëve në vendet e punës”, ka bërë të ditur ai për Telegrafin.

Po ashtu Hasani ka treguar se punëtorëve të Llamkosit, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), u ka mbetur edhe 13 paga borxh.
Gjykata Ekonomike në Prishtinë, para pak ditësh kishte marr vendim që të nxjerr në shitje fabrikën e Llamarinës “Llamkos”, përmes ankandit publik në afat kohor prej 60 ditësh.

Ndryshe, privatizimi i Fabrikës së ‘Llamkosit’ të Vushtrrisë kishte dështuar dy herë dhe që nga viti 2015 kjo ndërmarrjes ka mbetur në proces të falimentimit. Si pasojë e mos punës edhe borxhet ndaj punëtorëve kanë shkuar duke u rritur.