Alarmante: 24 punëtorë humbin jetën në vendet e punës për një vit

Krenar Jemini, 22-vjeçar, nga fshati Mushtisht i komunës së Suharekës, para dy ditësh ka gjetur vdekjen si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e tij të punës. Ai ka ndërruar jetë duke punuar të dielën në kompaninë “Lab-Oil”, njëra ndër kompanitë lidere në vend për importim të derivateve të naftës

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Imer Beka, ka thënë për “Zërin” se rasti i vdekjes së të riut nga Suhareka është cilësuar si i dyshimtë. “Sipas informatave, makina rastësisht e ka kapur personin dhe ia ka shkaktuar vdekjen. Prokuroria e ka marrë rastin si të dyshimtë derisa rasti të vërtetohet”, ka thënë ai.

Reklama e sponzorizuar

Ndërsa mjeku kujdestar në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Avdush Bajgora, ka thënë për gazetën se 22-vjeçari ishte sjellë në Emergjencë pa shenje jete dhe se ata vetëm e kanë konfirmuar vdekjen e tij.

Në lidhje me vdekjen e Jeminit ka dhënë detaje edhe kompania “Lab-Oil”, e cila e ka konsideruar rastin si aksidental. 

“Kompania ‘Lab-Oil’ nga Prishtina njofton opinionin publik se më datën 24.02.2019 në fabrikën e “Petrokoksit”, që gjendet në Preoc (magjistarja Prishtinë – Ferizaj), aksidentalisht ka humbur jetën punëtori ynë, Krenar Jemini (1997). I ndjeri Jemini në momentin kritik ka qenë duke kryer punët e tij në fabrikë dhe ka shkarë në shiritin transportues të fabrikës, ku ka marrë lëndime vdekjeprurëse”, është thënë në një komunikatë për medie.

22-vjeçari Krenar Jemini është personi i 24-të i cili që nga viti i kaluar e deri më tani ka gjetur vdekjen në vendin e tij të punës.