Po shtohet numri i ligjvënëseve që po i rehatojnë familjarët e tyre brenda ndërmarrjeve publike.
Naser Bujupi, bashkëshorti i Donika Kadaj-Bujupit, është punësuar së fundi në Telekomin e Kosovës, ndërmarrje e cila mbikëqyret nga gruaja e Bekë Berishës, Besa Shatri Berisha dhe auditohet nga Shehide Lushtaku, bashkëshortja e Mërgim Lushtakut, raporton KTV.
Lëvizja Vetëvendosje ka prezantuar emrat e mbi 50 militantëve partiakë të AAK-së dhe PDK-së, që u punësuan gjatë vitit 2018 në Telekomin e Kosovës.
Në mesin e të punësuarve, sipas Vetëvendosjes, janë edhe Ilirian Haxhiu, i biri i deputetes Teuta Haxhiu, Hajdar Sutaj, zyrtar i AAK-së e dhjetëra militantë të AAK-së e PDK-së.
Sipas VV-së, ky pushtet qëllimshëm ka përdorur strategji që çuan në degradim teknik, si lidhja e kontratave të dëmshme dhe punësimet e paligjshme.
Kohavisioni ka provuar të konfirmojë lajmin nga Telekomi, por zyrtarët e ndërmarrjes nuk i janë përgjigjur interesimit të televizionit.
Ndërkaq, burime të KTV-së brenda kompanisë kanë konfirmuar se rreth 300 persona u punësuan në Telekom që nga fillimi i 2018-s dhe se shumica kanë lidhje me partinë e kryeministrit, por ka edhe të NISMËS dhe PDK-së.
Vetëvendosje thotë se ky është vetëm fillimi i denoncimeve të proceseve përmes të cilave këta qeveritarë qëllimshëm po tentojnë ta shkatërrojnë Telekomin.