Shfrytëzimi i festave të mëdha për abuzime shfrenuese me çmime

Dje dhe sot, kur kanë mbetur fare pak ditë deri te kremtja e madhe e Krishtlindjeve dhe te festa e Vitit të Ri, shumë tregtarë të vendit po e tregojnë haptazi “dellin abuziv” me çmimet, duke ngarendur sërish për të ngritur çmimet edhe ashtu ndër më të lartat në rajon dhe përtej. Dje dhe sot, në vendin tonë po vërshojnë çmime të reja të ngritura, sidomos të produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën dhe që një familjeje i duhen përditë, por në veçanti të atyre produkteve që konsumohen shumë gjatë festave, siç janë vezët dhe disa produkte të tjera që kanë “prekur qiellin”.

Mehmet GJATA

Ecuritë e çmimeve në Kosovë, veçanërisht hovi i ngritjes së egër të tyre, është goxha unik jo vetëm në rajon, por edhe përtej. Në Kosovë, çmimet janë ngritur edhe më herët në këto dy vitet e fundit vrullshëm, egërsisht dhe në përqindje shumë të larta me pretekst dhe pa të, në të shumtën pa asnjë logjikë të tregut, për të arritur nivelin ndër më të lartin në shtetet e rajonit dhe më larg. Në këtë periudhë, që nga shpërfaqja e pandemisë e këtej, tregtarët kosovarë, sidomos ata të produkteve elementare ushqimore, kanë shfrytëzuar çdo rast për të çuar në stratosferë nivelin e çmimeve të produkteve bazike. Por, tendencat e ngritjes së egër dhe jashtë logjikës së tregut, janë vërejtur edhe me rastin e ndonjë paralajmërimi zyrtar për ndërmarrjen e ndonjë mase konkrete për të parandaluar anarkinë e çmimeve si dhe me rastin e festave më të rëndësishme të Republikës.

Kësisoj, ngritjet e mëdha dhe të egra të çmimeve ndodhën pikërisht vetëm disa ditë pas miratimit të Rezolutës nga Qeveria për frenimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë dhe disa ditë pas paralajmërimeve zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues. Kështu, posa u bë publike paralajmërimi për këtë masë të autoriteteve, më 11, 12 e 13 gusht, në shtandet e minimarketeve, marketeve të mëdha dhe supermarketeve u rreshtuan çmime të ngritura në stratosferë të shumë produkteve bazike ushqimore. Po njësoj pothuajse ndodhi edhe me rastin e miratimit të Ligjit për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg.

Reklama e sponzorizuar

Në vend që të ndalet paksa hovi i ngritjes së egër dhe i vrazhdë i çmimeve me këtë rast, ato vetëm sa u ngritën më shumë dhe më me agresivitet nga tregtarët abuzues të produkteve bazike ushqimore. Dhe, në këtë mënyrë, tani kur është bërë më shumë se një muaj qëkur është miratuar Ligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg (8 nëntor 2022), efektet e tij janë të pavërejtshme, për të mos thënë zero efekte. Po të analizohen mirë e mirë rezultatet e këtij ligji, del të jenë të kundërta me parashikimet dhe qëllimin e tij. Sepse, çmimet, sidomos të disa produkteve themelore ushqimore dhe sidomos të disa produkteve që janë vendore, që prodhohen në Kosovë, jo vetëm që nuk janë ndalur së ngrituri, por janë rritur në mënyrë të përshpejtuar, brenda ditës dhe ditëve qëkur është miratuar ligji i shumëpritur dhe i shumëpërfolur –i kontestuar sidomos nga opozita, por edhe i përkrahur nga mazhoranca.

Tregtarët e ‘pangopshëm” njësoj kanë vepruar me fitimet edhe me rastin e shumë festave shtetërore, e sidomos të festave të Bajramit, të Krishtlindjeve, të Pashkëve dhe ato të fundvitit. Kot u deklaruan zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë se “qëllimi është të ndalohet abuzimi me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit”.

Në bazë të draftit final të këtij Ligji, të prezantuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe të kontestuar goxha shumë nga ekonomistët, dhe sidomos nga opozitarët, produktet themelore në kuadër të këtij ligji parashihet të jenë: drithërat, miell gruri, buka, orizi, pastat, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa e kuzhinës, vezë pule, mishi i pulës, sheqeri kristalor, produktet e higjienës personale etj.

Ndërsa, po t’i hedhësh vetëm një sy përciptazi tregut të Kosovës, shihet se sa jo rezultativ dhe i paefektshëm ishte ky Ligj, i cili thuaja në asnjë rast nuk arriti qëllimin kryesor (eliminimin e efekteve të rritjes së paarsyeshme të çmimeve) dhe nuk ndaloi “abuzimin me ngritje të çmimeve me qëllim të shtimit të përfitimit, as nga tregtarët e papëregjegjshëm, as nga operatorët ekonomik që tregtojnë produkte themelore në vend. Sepse, çmimet, sidomos të disa produkteve themelore ushqimore dhe sidomos të disa produkteve që janë vendore, që prodhohen në Kosovë, jo vetëm që nuk janë ndalur së ngrituri, por janë rritur në mënyrë të përshpejtuar, brenda ditës dhe ditëve qëkur është miratuar ligji i shumëpritur. Dhe, prap, dje dhe sot, kur kanë mbetur fare pak ditë deri të kremtja e madhe e Krishtlindjeve dhe te festa e Vitit të Ri, shumë tregtarë të vendit po e tregojnë haptazi “dellin abuziv” me çmimet, duke ngarendur sërish për të ngritur çmimet edhe ashtu ndër më të lartat në rajon dhe përtej.

Dje dhe sot, në vend po vërshojnë çmime të reja të ngritura, sidomos të produkteve elementare ushqimore, atyre që përbëjnë shportën dhe që një familjeje i duhen përditë, por në veçanti të atyre produkteve që konsumohen shumë gjatë festave. Rritje ekstreme të çmimit është vërejtur tek vezët, çmimet e të cilave dje dhe sot kanë “prekur qiellin”. Në shumë markete, supermarkete dhe në qendrat e mëdha tregtare në kryeqytet, një komplet vezqësh (30 copë) sot tregtohej në të shumtën e rasteve mbi 4,50 cent, por pati tregtarë që këtë produkt e shitnin edhe 5,50 centë. Sipas çmimeve ditore për artikujt bazikë të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), vetëm dy ditë më herët, një komplet me vezë është shitur për 4 euro e 29 centë. Me çmim të ngritur, këto ditë ka operuar edhe prodhuesi që tashmë ka bërë goxha emër për prodhimin dhe tregtimin e produkteve të shpezëve dhe i cili ka qenë i shquar për seriozitetin e afarizmit në rrjetet e tija tregtare. Në dyqanet e këtij prodhuesi, deri para 3-4 ditësh, 30 copë vezë kanë kushtuar 3,90 euro, ndërsa tani kushtojnë 4,20 centë.

Rritje e çmimit këtë javë është vërejtur edhe tek disa artikuj të tjerë, sipas përditësimit më të fundit të çmimeve të produkteve bazike nga ASK-ja. Këtyre ditëve është ngritur edhe çmimi i shumë produkteve në Tregun e Gjelbër, ku pos mollëve që vazhdojnë të tregtohen me çmimin 50, 60 dhe 70 centë, dhe mandarinave që vazhdojnë të mbajnë çmimin e standardizuar 65, 70 deri në 80 centë, të tjera pemë e perime, kanë zënë të shtrenjtohen vrullshëm. Sot në këtë treg një kilogram limon, që deri para dy-tre ditësh tregtohej me një euro, nuk mund të gjendej nën 1,5 euro. Është ngritur goxha shumë edhe çmimi i disa agrumeve të tjera. Sidoqoftë, lëvizja më e madhe e çmimit këto ditë vërehet tek vezët, të cilat në prag të festave, dihet që konsumohen shumë.

Të gjitha këto ngritje të egra të çmimeve të produkteve elementare ushqimore, po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfërit që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata që me të ardhurat e tyre tashmë mezi po ia dalin ta përmbyllin muajin. Kosovarët, shumica e tyre, nuk kanë më fuqi blerëse edhe për shkakun se në muajt e fundit të 2022-tës familjet kosovare pothuajse çdo produkt elementar po e blejnë më shtrenjtë.

Në nëntor, shkalla e inflacionit në Kosovë kishte arritur në 11.6 për qind, që do të thotë se çmimet e produkteve që konsumoi një familje në muajin nëntor 2022, mesatarisht kanë qenë më të shtrenjta për afro 12 për qind sesa në muajin nëntor 2021. Dhe kjo shifër është treguesi më real dhe më bindës për ritmet e vrullshme të ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre bazike ushqimore dhe që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në varfërinë e shtuar të qytetarëve të këtij vendi. Por, shifrat e ngritjes enorme të çmimeve, ku te disa produkte nuk është vështirë të shihet marzha e fitimit mbi 50 e më shumë për qind, po tregojnë edhe pafuqinë e shtetit dhe pushtetit në Kosovë karshi tregtarëve abuziv dhe manipulues, tashmë shumë sish, goxha të njohur, për nga prirjet e tyre manipulative.

Në këto zhvillime dhe ecuri çmimesh, nuk bëhet fjalë më për ligjshmëri. Dhe, sa më shumë të zgjasë kjo gjendje dhe ky kaos çmimesh, aq më shumë do të cenohen mirëqenia e shumicës së popullsisë së Kosovës dhe do të ç’rregullohet paqja, edhe ashtu e brishtë sociale e këtij vendi. Në anën tjetër, zyrtarët po dëshmohen fare të pafuqishëm për të mbikëqyrur shpërthimin kaq të egër të çmimeve të produkteve elementare. Dhe, mbase do të ishte e udhës që të sqarojë ndokush nga zyrat e autoriteteve pse gjithë kjo apati, por edhe pazotësi e zyrtarëve për të kontrolluar veprimet abuzive të tregtarëve, të cilët kaq botërisht po sfidojnë shtetin dhe zbatimin e masave të përkohshme mbrojtëse në raste të veçanta të destabilizimit në treg, të parapara edhe me Ligjin e miratuar para më shumë se një muaji. /Buletini Ekonomik/