Brenda muajit, anëtari i Bordit punësoi 4 fëmijët e tij në Telekom

Brenda pak ditësh, të gjithë fëmijët e tij arritën të punësohen në njërën nga ndërmarrjet publike të Kosovës, ku babai i tyre është hiç më pak se njëri nga drejtorët e Bordit të Telekomit.

Osman Ejupi u përzgjodh të jetë anëtar i Bordit të Telekomit më 29 mars të 2018-s, në një bord që u cilësua politik, raporton KTV.

Pak muaj më vonë, të katër fëmijët e tij iu bashkuan Telekomit.

Reklama e sponzorizuar

E para që u punësua ishte Artina Ejupi-Tolaj, e cila mori kontratën më 18 qershor të 2018-s.

Një javë me vonë, në Telekom, Artinës iu bashkuan edhe motra dhe vëllezërit e saj.

Më 25 qershor, kontratat i morën edhe Arxhina Ejupi-Islami, Ardian e Armend Ejupi.

Që të gjithë janë të punësuar si agjentë të shitjes, rroga e të cilëve sillet rreth 800 euro.

Kohavisioni ka provuar të vë kontakt edhe me Osman Ejupin, për ta pyetur rreth punësimeve apo nëse ka përdorur autoritetin e tij për t’i punësuar fëmijët.

“ Ju lutem, më kontaktoni pas gjysmë ore, sepse jam duke vozitur”, ka thënë ai.

Por, pas kësaj telefonate, Ejupi nuk e ka hapur më telefonin.

Kohavisioni ka dërguar pyetje edhe te menaxhmenti i Telekomit të Kosovës për të marrë qëndrimin zyrtar të tyre për punësimin e fëmijëve të Osman Ejupit, anëtar i Bordit të Telekomit, por të njëjtit nuk kanë kthyer fare përgjigje.

Emri i Osman Ejupit figuron në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve. Pak ditë para së të emërohej anëtar i Bordit të Telekomit, më 14 mars të 2018-s, kishte hapur një institucion parashkollor dhe personi i autorizuar është vajza e tij, Arxhina Ejupi-Islami.

Edhe aksionari kryesor i Telekomit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, është në dijeni për punësimet e tilla.

Vetë ministri Valdrin Lluka ka thënë në KTV-në se numri i të punësuarve, që nga qershori i 2018 në Telekom, është rritur për 200 persona.

Madje, sipas tij, arsyetimi që i ka ardhur nga Telekomi është se këto punësime janë bërë në emër të marrjes në duar të shitjes së shërbimeve të Valës.

Osman Ejupi, për kohë të gjatë, ka qenë anëtar i Bordit të autoritetit kosovar të konkurrencës.