Ende pa u kryer autostrada për Shkup, nis ndërtimi i tjetrës

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, në prezantimin e Autostradës së Dukagjinit, ka thënë se ky projekt do të kushtoj 238 milionë euro dhe se kohëzgjatja e punimeve do të jetë 36 muaj.

Lekaj tregoi se beson se në një afat 60 ditësh do të fillojnë punimet në këtë autostradë.

“Kjo që sot po e prezantojmë është një projekt në vlerë 238 milionë euro dhe kohëzgjatja zbatuese besojmë se do të jetë 36 muaj, por varet nga kompanitë që ofertojnë dhe nëse ka kapacitete ta kryejnë edhe për 24 muaj apo 12 muaj, sepse buxheti është i garantuar dhe në këtë drejtim nuk do të kemi probleme”, ka thënë ministri Lekaj, përcjell Telegrafi.

Reklama e sponzorizuar

Ai në prezantim të projektit, u shpreh se nuk ka asnjë problem, sipas tij, tenderi do të shpallet në një afat dy ditor.

“Ajo që e bënë dallimin me projektet tjera është sepse ne kemi leje të mjedisit, kemi projektin detaj, kemi elaboratin e shpronësimit dhe asnjë problem të mëtutjeshëm nuk e kemi dhe shpresoj se në një afat dy ditor të shpallet tenderi për ndërtim. Ne besojmë se në një afat 60 ditësh do të fillojmë me punët e kësaj autostrade”, u shpreh Lekaj.