Pas miratimit të Buxhetit për vitin 2019, kryeministri Ramush Haradinaj ka premtuar se ky vit do të jetë vit i suksesit dhe zhvillimit për Kosovën. Ai ka thënë se me votimin e Statutit të “Trepçës” kemi zgjuar gjigantin kosovar.
“Ky është hapi kryesor për t’i dhënë këtij aseti fuqinë për investime dhe gjenerim stabil të të hyrave dhe punësim”, ka shkruar Haradinaj.
Tutje ai deklaroi se votimi i Statutit me 2/3 e votave të Kuvendit dëshmoi unitet të spektrit politik.
“Ky statut i jep Trepçës legjitimitetin e nevojshëm për të operuar me të gjitha kapacitetet e saja dhe duke e rikthyer atë në funksion të plotë të ekonomisë së vendit, të shtetit të Kosovës dhe të minatorëve”, shkruan në facebook kryeministri.
E Kuvendi i Kosovës ka votuar Ligjin për buxhetin e vitit 2019. Gjatë seancës së sotme plenare, deputetët votuan po ashtu Ligjin për pagat në sektorin publik.
Për Ligjin për buxhetin kanë votuar 65 deputetë. Buxheti për vitin 2019 është paraparë të jetë në vlerë prej 2,3 miliardë euro.
Dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë votuar për buxhetin për vitin 2019.