Qeveria e Kosovës të martën pritet të marr një vendim jo të zakonshëm. Me izën e Ramush Haradinajt, pritet t’ia ndajë më shumë se gjysmë milioni euro kompanisë private “Euromaks” nga Peja.
Kjo kompani, e cila merret me prodhimin e peletit, ishte bërë shkrumb e hi vitin e kaluar pasi zjarri kishte kapluar ambientet prodhuese.
Në dokumentin me të cilin i ka kërkuar ndihmë Qeverisë së Kosovës, të cilin e posedon Gazeta inFokus, thuhet këto mjete do të përdoren për rimëkëmbjen e biznesit.
Kjo kërkesë i është dorëzuar ekzekutivit dy javë më parë, me datë 05.02.2019, ndërsa i menjëhershëm ka qenë reagimi i Haradinajt për ta futur në rend dite dhe obligimi i institucioneve përgjegjëse për t’ia ndarë paratë.
Megjithatë, kërkesa që nuk u diskutua javën e kaluar në Qeveri, është vënë si pika e katërt në rend dite për diskutim në mbledhjen e të martës në Qeverinë e Kosovës.
Kështu dëshmojnë dokumentet që posedon Gazeta inFokus, në bazë të së cilave Ministria e Financave obligohet të paguaj 600 mijë euro nëse miratohet e plotë kërkesa e kompanisë.
Kjo kompani ka arsyetuar kërkesën e tyre, duke thënë se “Kosova në mungesë të rrjetit të gazit dhe në mungesë të vazhdueshme të prerjeve drunore, ka përdorur qymyrin që po përbën ndotësin masiv”.
“Ne si subjekt prodhuesi kemi për bazë prodhimin e peletit, i cila nuk ndotë ambientin dhe krijon mbase bazën e largimit nga përdorimi i Qymyri si lëndë djegëse”, thuhet në letrën që i kanë dërguar kryeministrit Haradinaj.
Përfaqësues të kompanisë nuk kanë dashur të japin detaje për Gazetën inFokus lidhur me paratë që pritet t’ua ndajë ekzekutivi.
“Nuk është 600 mijë euro. Dëmi është aq. Kërkesa ka qenë për dëmin që e kanë përcaktuar ekspertat e Gjykatës”, ka thënë shkurt ai.
Fabrika “EuroMax” nga Peja, është djegur më 2 shkurt të vitit 2018, ndërsa ministri i atëhershëm i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani kishte shprehur gatishmërinë për t’i dalë në ndihmë këtij biznesi vendor.
Ai pati vizituar objektin e shkatërruar për të parë afër gjendjen në të cilën ndodhej objekti i cili prodhon pelet, e që dëmi i shkaktuar sipas tij llogaritej të jetë rreth gjysmë milion euro.