AAK mbetet e vetme për autostradën e Dukagjinit

Përderisa shëndetësia e arsimi në vend e kanë prekur fundin, shteti po i vazhdon investimet në asfalt.

Pas milionave për autostradën që lidh Prishtinën me Shkupin, Qeveria po planifikon t’i shpenzojë rreth 1 miliard euro për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit, që lidh Istogun, Pejën, Deçanin, Gjakovën dhe Prizrenin.

Por, ndërtimin e kësaj autostrade nuk po e përkrahin opozita dhe dy partitë që janë pjesë e koalicionit qeverisës. Ata po propozojnë që vetëm të bëhet zgjerimi i rrugës ekzistuese, e mjetet të shkojnë në fusha që do të përmirësonin jetën e qytetarëve.

Reklama e sponzorizuar

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka thënë Gazetës Express se shpenzimi i miliardave të buxhetit vetëm në asfalt është gabim fatal. Sipas Abdixhikut, edhe ky projekt po bëhet për interesa individuale e jo nacionale.

Thotë se duke investuar në asfalt po mbeten anash shëndetësia, arsimi e gjyqësori.

“Nëse një mësim Kosova duhet ta ketë nxjerre në 10 vitet e fundit, atëherë i njëjti është se shpenzimi i miliardave te buxhetit ne asfalt – dhe asgjë tjetër – është gabim fatal. Me projekte të tilla, me kosto dy tre fish në të lartë se në Evropë, me shterrje të buxhetit për shume vite, Kosova ka lenë në gjendje kolapsi shëndetësinë, arsimin dhe gjyqësinë – tri fushat prioritare të qytetareve tanë”, thotë ai.

Sipas Abdixhikut, qytetarët e vendit kanë nevoja të tjera dhe se një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’iu jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve.

“Konsideroj se vendi ynë – përfshirë dhe banorët e Dukagjinit – kanë nevoja krejt tjera. Ato natyrshëm janë të lidhura me vendet e punës, me përkujdesin më të mirë shëndetësor, me edukim me cilësor e me shtet të së drejtës. Një miliardëshi i adresuar për autostradë do t’u jepte zgjidhje shumë prej këtyre problemeve”, ka thënë Abdixhiku për Express.

Ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit nuk po e përkrahin as nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu i ka thënë Gazetës Express se Ministri Pal Lekaj ka marrë vendim për variantin final të këtij projekti pa analizë paraprake të fizibilitetit, pa arsyeshmëri ekonomike dhe në kundërshtim me të gjitha planet hapësinore në Kosovës.

Edhe Aliu thotë se ky projekt është në shërbim të interesave private.

“Cenimi i pakthyeshëm i tokave bujqësore nën komasacion dhe me sistem ujitjeje, përveçse është dëm ekonomik është edhe veprimtari e ndaluar me ligj. Vendimi ad-hoc si dhe caktimi ad-hoc i korridoreve të autostradës është pikërisht modeli i kësaj Qeverie, e cila improvizon projekte të pastudjuara në shërbim të interesave private të mirëpërllogaritur”, thotë Aliu.

Sipas Aliut, në mungesë të ideve zhvillimore dhe zonave industriale, infrastukturën e cila i mbyt potencialet e zonës qeveria po e shet si investim zhvillimor.

Thotë se miliardëshi i paraparë për autostradë do të mund të shkonte për rregullimin e shtratit të Drinit të Bardhë në Rahovec dhe subvencionimet e projektet që avancojnë teknologjinë përpunuese të prodhimeve bujqësore.

“Përse të shpenzohen 1 miliardë euro për autostradën kur parashihen projekte edhe për zgjerimet e rrugëve ekzistuese. Rruga Prizren-Gjakovë është në projekt të zgjerohet në 4 shirita? Përse paralel me këtë rrugë të ndërtohet autostradë? Njëjtë me këtë projekt, Qeveria po punon drejt projektit të vazhdimit të autostradës deri në Merdarë ndërkohë që ka filluar zgjerimi i rrugës ekzistuese me katër shirita dhe kjo autostradë do të jetë paralel me këtë rrugë me një distance 1-5 km nga ajo”, thuhet në përgjigjet e Aliut.

Sipas tyre, qasja jo zhvillimore dhe korruptive qeverisëse në vend se të nxjerrë në pah potencialet e Kosovës ia ngulfat ato dhe se për këtë arsye zonat më të mëdha pjellore në vend po braktisen nga banorët.

Edhe në Partinë Socialdemokrate nuk e përkrahin ndërtimin e kësaj autostrade.

Zëdhënësja e PSD’së, Natyra Kuçi, i ka thënë Gazetës Express se ky projekt është i pamenduar mirë, meqenëse nuk ka as studim fizibiliteti mbi arsyeshmërinë ekonomike e financiare, por dhe me pasoja të mëdha për shtetin.

“Ne ekonomi çdo projekt ka koston oportune, pra nuk është vetëm kosto financiare e projektit, shtrohet pyetja se cilat projekte nuk do të realizohen si pasojë e këtij shpenzimi marramendës? Ka shumë mënyra se si këto fonde mund te shkojnë në projekte që ndikojnë në punësim dhe përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarit”, thotë Kuçi.

Në këtë parti propozojnë që vetëm të zgjerohet rruga ekzistuese dhe që paratë e parapara për këtë investim të përdoren për të zhvilluar sektorët e tjerë që do të ndikonin në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“Pra, në vend që të shpenzojmë një miliard euro në rrugë, duke dëmtuar toka bujqësore e dështuar biznese, ne propozojmë që rruga ekzistuese të zgjerohet dhe paratë e parapara për këtë investim të përdoren për të zhvilluar sektorë që përmirësojnë jetën e qytetarit”, thuhet në përgjigjet e Kuçit drejtuar Gazetës Express.

Investimi i shtetit në asfalt nuk po shihet si veprim i mençur as nga njohësi i ekonimisë, Naim Gashi.

Gashi thotë se në vend të autostradës duhet të zgjerohen rrugët ekzituese që lidhin këto qytete të Dukagjinit, ndërsa këto mjete duhet të përdoren për zhvillimin e turizmit dhe bujqësisë në këto komuna.

“Marrja e vendimit për projekte madhore që kanë kosto miliardëshe duhet t’i paraprijë një debat publik me qytetarë dhe ekspertë. Ekspertët e fushës duhet të bëjnë llogarinë kost-benefit. Të shihet a ia vlen ky projekt në kundërvlerë me koston”, thotë Gashi.

Sipas tij, fokusi i investimeve duhet të orientohet në sektorë që gjenerojnë vende pune për të rinjtë të cilët masivisht po emigrojnë në Evropë.

“Mendimi im është se fokusi i komplet investimeve kapitale në asfalt është i gabuar. Ne kemi popullatën më të re në Evropë, ndërsa investojmë 2% të buxhetit për rininë. Kjo është paradoksale. Fokusi i investimeve duhet të orientohet në sektorë që gjenerojnë vende pune për të rinjtë të cilët masivisht po emigrojnë në Evropë”, thuhet në përgjigjet e Gashit drejtuar Gazetës Express.

Përveç partive opozitare, kundër kësaj autostrade janë deklaruar edhe zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka thënë se autostrada e Dukagjinit mund të jetë pikë e cila e ndan partinë e tij me AAK-në. Berisha ka thënë se ideja e ndërtimit të autostradës, e cila po proklamohet, është e gabuar.

Sipas tij duhet të jetë një autostradë e tipit të hapur, pasi që thekson se shumë biznese janë në atë rrugë dhe me lëvizjen e trasesë shumë prej tyre do të falimentojnë. Ai ka thënë se tipin e mbyllur të autostradës do ta kundërshtojnë edhe në Kuvend.

“Ky është projekt që kushton mbi 1 miliard euro dhe si i tillë duhet të analizohet. Edhe me u rreziku Qeveria nuk bëhet nami, me rëndësi është të shpëtohet shteti. Ne duhet të mendojmë për qytetarët. Kemi prioritete të tjera për të cilat mendoj që edhe kryeministri edhe të gjithë e dinë”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, Qeveria nuk duhet të ngulë këmbë për të ndërtuar një autostradë e cila, sipas tij, nuk është edhe aq e nevojshme.

Edhe Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, që vjen nga radhët e PDK-së, ka deklaruar se ndërtimi i autostradës në fjalë nuk është i nevojshëm për vendin, pasi që sipas tij, ka tema shumë më të rëndësishme për investim sesa rrugët.

“Mendoj që duhet me pa përtej këtyre problemeve, përtej asfaltit. Me trajtu çështjet qysh është arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit që janë tepër të rëndësishme për kualitetin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Tahiri.

Deklarimeve të partnerëve të koalicionit u është përgjigjur sot edhe i pari i Qeverisë.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se kjo autostradë është në interes të të gjithë Kosovës, e jo vetëm të Dukagjinit. Për paralajmërimet e Berishës se me këtë autostrde rrezikohet Qeveria, Haradinaj ka thënë se kurdo që parlamenti merr vendim që vendi të shkojë në zgjedhje, është e arritur e Kosovës.

“Ai (Zafiri) ka të drejtë kur thotë se rruga ekzistruese duhet me u zgjeru. Por, një rrugë ekzistuese nuk e ka funksionin e një rruge të zgjeruar, pra funksionin e autorrugës. Janë funksione të ndara, pra dallojnë. Nëse bëhet tani autorruga, mbetet traseja, sepse trasetë mbetën edhe për 50 ose 100 vjet”, ka thënë Haradinaj.

I pari i Qeverisë ka thënë se autostrada ka vlerë tjetër dhe se ndërtimi i saj është në interes të Kosovës.

“Për mu autostrada është jetike për atë zonë. Janë qindra mijëra banorë, pra është e popullume shumë ajo zonë, nëse e merr prej Peja, Deçan, Gjakovë, Rahovec e deri atje. Autostrada është interes i Kosovës, jo i Dukagjinit”, ka thënë Haradinaj në konferencën për media./Gazeta Express