Malta dhe Qipro, dy prej ekonomive më të vogla të Bashkimit Europian, po përballen me probleme në rritje në drejtim të pastrimit të parave
Kur Marshall Billingslea, zyrtari amerikan i Thesarit, në krye të departamentit që merret me çështjet e pastrimit të parave, vizitoi Qipron në maj të 2018-s, mesazhi që ai dha atje ishte shumë i ashpër. Zyra e tij kohët e fundit akuzoi për pastrim parash nga Rusia, ABLV-në, bankën e tretë më të madhe e Letonisë, duke e detyruar atë të mbyllej.
Pastrojini bankat tuaja, ose ato do të kenë të njëjtin fat me ABLV-në, iu drejtua z. Billingslea, zyrtarëve qipriotë. Po gjatë asaj periudhe, një ishull tjetër u ndie i kërcënuar nga zyrtarët europianë, të cilët u shprehën se kishte mangësi serioze rregullatore në trajtimin e skandalit që goditi Bankën Pilatus. Bashkimi Europian ka marrë goditje të shumta vitin i kaluar në drejtim të pastrimit të parave, shkruan The Economist.
Skandali i zbuluar në Bankën Dnaske në degën e saj në Estoni, konsiderohet si një prej më të mëdhenjve të pastrimit të parave në histori. Presioni është rritur shumë mbi shtetet europiane në drejtim të ndërmarrjes së veprimeve të ndryshme. Një pjesë e mirë këtij presioni ka rënë sidomos mbi Maltën dhe Qipron, dy prej ekonomive më të vogla të BE-së.
Një raport i Komisionit Europian mbi shitjen e pasaportave, i publikuar më 23 janar, theksoi se skema të tilla e ekspozojnë pjesën tjetër të BE-së ndaj rreziqeve të pastrimit të parave.
Qiproja ka qenë një prej parajsave fiskale të Rusisë që nga vitet 1990, por zyrtarët amerikanë po e shohin atë me një vëmendje më të madhe tani, sepse duan të kufizojnë ndikimin e Rusisë në Perëndim. Në fakt, zyrtarët qipriotë kanë shumë se për çfarë të shqetësohen.
Viktor Vekselberg, një oligark rus, sipas sanksioneve amerikane zotëron 9% të Bankës së Qipros, banka më e madhe në vend, që prej muajit prill.
Emri i këtij shteti është përmendur shpeshherë edhe në gjyqin e Paul Manafort, ish-shefit të fushatës së Donald Trump, i cili është akuzuar për mashtrim. Reputacioni i sektorit financiar të Maltës, më i ri se Qiproja, filloi të shfaqë shenjat e para të përkeqësimit në vitin 2017.
Daphne Caruana Galizia, një gazetare investigative, pretendonte se Banka Pilatus me seli në Maltë po pastronte miliona para për familjen në krye të Azerbajxhanit, ndërsa zyrtarët maltezë u korruptuan nga ryshfetet e shumta (edhe pse këta të fundit nuk e pranojnë një gjë të tillë).
Gazetarja Galizia u vra nga shpërthimi i një bombe të vendosur në makinën e saj në tetor të 2017. Vrasja tronditi Komisionin Europian.
Rregullatorët po tregojnë shenja përmirësimi. Në qershor, Banka Qendrore e Qipros (CBC) ua ndaloi bankave që të merren me kompanitë e naftës. Malta ka rritur buxhetin për sistemin rregullator kundër pastrimit të parave me rreth 6 herë më shumë.
Por shumë janë skeptikë në lidhje me përpjekjet e dy vendeve për ndryshim.
Panicos Demetriades, ish-kreu i Bankës Qendrore të Qipros (CBC-së), thotë se industritë që janë përmendur në lidhje me problemet e këtyre bankave, duke përfshirë firmat ligjore “politikisht të lidhura me të” kanë mbetur kryesisht të paprekura.
Sa i përket Maltës, Komisioni u tha rregullatorëve të saj në nëntor të vitit të kaluar, se ata duhet të “përforcojnë” zbatimin e procedurave rregullatore, duke i paralajmëruar se mospërmbushja e afateve mund të çojë në vendosjen e gjobave të larta. Skemat e tyre të investimeve në drejtim të shitjes së shtetësisë janë shoqëruar me kritika të ashpra. Ato janë anëtarët e vetëm të BE-së që bëjnë pjesë në listën e zezë të OBZHE-së, një grup shtetesh kryesisht të pasura, skemat e të cilave në lidhje me “pasaportat e arta” e bëjnë evazionin fiskal më të lehtë.
Kjo bie në kundërshtim me pendimin e Letonisë pas mbylljes së ABLV-së. “Ne kemi kuptuar se duhet të bëjmë më shumë për të pastruar sektorin tonë financiar”, u shpreh Liga Klavina, një zyrtare në Ministrinë e Financave. Që prej shkurtit, përqindja e depozitave në Letoni që u përkasin jorezidentëve ka rënë nga 40% në 20%. Ndërsa në Maltë është 45%.