KMDLNJ përmes një komunikate për media reagon ndaj punësimeve pa përfillur konkursin dhe kundër çdo standardi profesional e sidomos në raste si ky që, nëse është e vërtetë paraqet konflikt interesi, ushtrim ndikimi dhe shpërdorim të detyrës zyrtare e që, sipas ligjeve në fuqi është vepër penale dhe si e tillë duhet të hetohet dhe duhet të sanksionohet.
Reagimi i KMDLNJ-së vjen pasi që dje disa medie elektronike dhe të shkruara informuan opinionin se një anëtar i Bordit të PTK-së në afatin tre mujor ka punësuar në këtë kompani katër anëtarë të ngushtë të familjes përkatësisht bijtë dhe vajzat e këtij anëtari të Bordit.
“Punësimi i anëtarëve të ngushtë të familjes në një kompani apo institucion ku jeni bartës i një posti nga i cili mund të ushtrohet ndikim si në rastin e D. E. është rast flagrant i shkeljeve të drejtave të njeriut dhe pa asnjë dyshim , përveç se paraqet konflikt interesi, është edhe vepër penale. Agjencioni Kundër Korrupsionit është dashur të merret dhe duhet të merret me këtë rast dhe raste të ngjashme”, konsideron KMDLNJ.
Për hetimin e këtij rasti, KMDLNJ kërkon veprim të shpejtë dhe ndërmarrje të masave të menjëhershme siç është pezullimi i këtyre vendeve të punës për katër familjarë të anëtarit të Bordit të PTK-së, deri në një hetim përfundimtar si dhe pezullimin dhe lirimin nga të qenit anëtar i Bordit për të dyshuarin, deri në marrje të një vendimi përfundimtar.