Energjia e prodhuar nga termocentrali “Kosova e Re” ka çmim të garantuar prej 80 euro/MWh apo 20-30 euro/MWh më shumë sesa çmimi mesatar rajonal, gjë e cila do të ndikojë që shteti apo tatimpaguesit kosovarë të marrin mbi supe këtë diferencë të çmimit.
Kështu ka thënë drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopaç, në një takim me anëtarë të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, të martën. Gjatë këtij takimi ai ka shpalosur shkeljet që janë bërë me nënshkrimin e kontratave për projektin “Kosova e Re”, të cilat kanë të bëjnë me legjislacionin e ndihmës shtetërore dhe konkurrencës së lirë, shkruan sot Koha Ditore.
Kosova ditë më parë ka themeluar kompaninë publike NKEC, e cila do të shërbejë si ndërmjetësuese në mes të kompanisë “Contour Global”, e cila do të ndërtojë termocentralin “Kosova e Re” dhe pjesës tjetër të tregut të energjisë në Kosovë.
Me marrëveshjet e arritura, NKEC detyrohet që të blejë kapacitetin prodhues të termocentralit të ri, edhe nëse tregu nuk e kërkon. Atë energji NKEC do t’ia shesë KEDS-it apo dikujt tjetër me çmim më të lirë sesa kostoja e prodhimit, ngase çmimi mesatar rajonal është 50-60 euro/MWh. Kështu, shteti dhe tatimpaguesit kosovarë e marrin mbi supe diferencën e çmimit prej minimum 20-30 euro/MWh.