Balkan Green Foundation (BGF) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kërkojnë tërheqjen e menjëhershme nga kontrata për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.
Ky projekt do të falimentojë Kosovën ekonomikisht, do të pamundësojë liberalizimin dhe integrimin e tregut të energjisë elektrike, si dhe paraqet një goditje vendimtare mjedisit, shëndetit dhe të drejtave të njeriut, thuhet në komunikatën për media të këtyre OJQ-ve. Sipas tyre, duke ndërprerë këtë projekt të dëmshëm, Kosova ka mundësinë të ndërtojë të ardhme evropiane përmes tranzicionit të energjisë drejt burimeve të ripërtërishme, efiçiencës së energjisë dhe një tregu të integruar e liberal në funksion të përballueshmërisë së çmimeve dhe mbrojtjes së konsumatorit.
Përkundër një procedure të diskutueshme kontraktuese të tenderit, ContourGlobal është përzgjedhur si operatori kryesor i termocentralit ‘Kosova e Re’. Balkan Green Foundation dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) kanë përcjellë vazhdimisht ecurinë e projektit për ndërtimin e termocentralit të ri, i cili edhe që nga koha kur ka qenë si ide ka bartur në vete shkelje të shumta, parregullsi, ndryshime në kapacitetin gjenerues etj. Edhe sot, ky projekt po vazhdon të dëshmojë se me ndërtimin e tij a) do të ndikojë në rritjen e tarifave të faturave të energjisë elektrike, b) do të dëmtojë rëndë buxhetin dhe tatimpaguesit kosovar, dhe c) do të dërgojë vendin drejt falimentimit.
‘Kosova e Re’ ka një çmim të garantuar prej 80 euro/MWh. Kosova ka themeluar kompaninë publike NKEC, e cila do të shërbejë si ndërmjetësues në mes të Contour Global dhe pjesës tjetër të tregut të energjisë në Kosovë. Pra, NKEC detyrohet të blejë kapacitetin prodhues të termocentralit të ri, edhe nëse tregu nuk e kërkon. Atë energji NKEC do t’ia shesë KEDS-it apo dikujt tjetër me çmim më të lirë se kostoja ngase çmimi mesatar rajonal është 50-60 euro/MWh. Kështu, shteti dhe tatimpaguesit kosovarë e marrin mbi supe diferencën e çmimit prej minimum 20-30 euro/MWh.
Kjo gjë u theksua edhe nga Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopaç, i cili në prezantimin e tij në konferencën e Agora-s në Bruksel tha: “Nëse projekti ‘Kosova e Re’ miratohet nga Parlamenti i Kosovës, Republika e Kosovës do të falimentojë.” Tutje, në kumtesat e Sekretariatit është cekur se elemente të kontratave të nënshkruara për projektin në fjalë përbëjnë shkelje të legjislacionit të ndihmës shtetërore dhe konkurrences së lirë. Madje, nuk nevojitet asnjë ekspertizë për të konkluduar se kontrata në të cilën një operatori privat i garantohet fitimi dhe i eliminohen rreziqet, i mbulohen të gjitha kostot fillestare dhe i garantohet blerja e produktit pa rezervë për njëzet vite rresht, përbën asgjë më shumë sesa vënje e potencialit dhe kapitalit publik në funksion të fitimit të një kompanie private. Kontrata, rrjedhimisht, shkelë Kushtetutën dhe legjislacionin që mbronë konkurrencën e lirë dhe barazinë në treg.
Gjithashtu, pa dyshim që ky projekt do të ndikojë edhe në ngritjen e çmimit në fatura të energjisë elektrike për konsumatorët. Shembulli i infografikës i zhvilluar nga Balkan Green Foundation dhe INDEP tregon që një familje që konsumon energji prej 700 kWh me çmimin mesatar 5.5 cent për kWh, kur përkthehet në faturën mujore totali do të jetë afro 40 euro. Ndërsa, nëse jetësohet TC ‘Kosva e Re’, çmimi mesatar për rreth 9 cent për KWh, bën që fatura e një familje të jetë për mbi 50 % më e lartë.
Nëse kjo kontratë vihet në jetë, Kosova si dhe qytetarët e saj, do të marrin përsipër kosto të papërballueshme dhe të pa merituara. Tutje, duhet theksuar se ky projekt nuk do të sigurojë pavarësi të furnizimit energjetik, do të minojë rrugëtimin e vendit drejt proceseve integruese, dhe do të shkaktojë dëme të pakthyeshme në mjedis. Andaj, edhe njëherë, Balkan Green Foundation dhe INDEP bëjnë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të mbrojnë interesin publik duke mos votuar në favor të TC ‘Kosova e Re’, pasi që një projekt i tillë nuk ka logjikë ekonomike dhe bankroton shtetin, përfundon komunikata.