Pesëqind mijë eurot e ndara nga Qeveria e Kosovës këtë vit për festimin e Ditës së Pavarësisë kanë qenë bosht i debatit, të premten, gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar për mbikëqyrje të financave publike.
Deputetët kanë kërkuar llogari rreth kësaj shume nga zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, i cili ishte ftuar për të sqaruar Raportin e auditimit për menaxhimin financiar dhe kontrollet e borxheve publike për periudhën 2009-2017, shkruan sot “Koha Ditore”.
Është kërkuar edhe një raport nga Qeveria, në të cilin do të përshkruhej shfrytëzimi i 500 mijë eurove.
Kryesuesi i Komisionit, njëherësh deputet i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se është e pakuptimtë ndarja e kësaj shume për këtë vit, duke marrë shembull vitin 2017, kur ishin ndarë vetëm 70 mijë euro.
“Pse gjithë kjo shumë, 500 mijë euro? Pse nuk janë planifikuar më herët kur dihet data e Pavarësisë? Për neve, rritja dhjetëfish e shpenzimeve është e pakuptimtë. Çfarë aktivitetesh të tjera janë organizuar pos koncertit, dhe sa mund të kushtojë ai? Madje, më e keqja, neve si deputetë ftesa na ka ardhur, jo në emër të kryeministrit, por në emër të bashkëshortes së kryeministrit”, ka thënë Selmanaj.