Lekaj: Në tetor nis ndërtimi i ‘Autostradës së Dukagjinit’, që do të kushtojë mbi 1 miliard euro

Ministri i Infrastrukturës, njëherësh nënkryetar i AAK-së, Pal Lekaj, në “Debat Plus” ka thënë se “Autostrada e Dukagjinit” pritet të jetë e gjatë 91 kilometër dhe do të përfshijë Istogun, Klinën, Pejën, Gjakovën, Deçanin, Suharekën, Rahovecin e Prizrenin.

“Projekti do të lidh zonat rurale dhe qytetet me korridoret pan evropiane. Kemi bërë një fizibilitet dhe ky projekt ka ndikim pozitiv në banorët e këtyre zonave, duke shtuar zhvillimin ekonomik e zhvillimin e turizmit”.

Ministri i Infrastrukturës ka thënë se do të vazhdohet edhe më tej me debate dhe do të vendoset me versionin përfundimtar.

Reklama e sponzorizuar

“Nëse shkon gjithçka mirë sipas procedurave, mendojmë se në fillim të tetorit do të fillojnë punimet. Mendohet se projekti do të përfundoj për katër vite”.

Lekaj ka thënë se kostoja e këtij projekti duke përfshirë edhe shpronësimet pritet të jetë rreth një miliardë euro.

Ministri i Infrastrukturës ka thënë se në rajonin e Dukagjinit do të ndërtohet edhe një rrugë dhe tashmë mbi 200 milion euro janë para të garantuara për trasenë Kijevë- Zahaç.