Ligji për pagat, i miratuar javën e shkuar në Kuvend, ka cenuar pavarësinë e institucioneve kushtetuese, ka degraduar edhe më arkitekturën e buxhetit të shtetit dhe ka thelluar ndarjet, jo veç mes kategorive në sektorin publik, por edhe mes publikut e sektorit privat. Ky dokument është duke u gjykuar edhe për jokushtetues, shkruan sot “Koha Ditore”.
Pagat e vëna me ligj, bashkë me skemat sociale, marrin pjesën më të madhe të mjeteve që përmban kuleta e shtetit për një vit. Me projeksionet e reja, kategoria e pagave dhe mëditjeve, si dhe ajo e skemave sociale mbërrijnë në 1.4 miliardë euro, shumë që përbën 74 për qind të të hyrave vjetore.
Ekspertët kanë alarmuar se, me një shpërndarje të këtillë, janë ulur drastikisht kapacitetet investuese dhe tani ka mundësi minimale financiare për investime kapitale, për krijim të vendeve të reja të punës, për përmirësim në shëndetësi, arsim e gjyqësi.
Me të është thelluar edhe më hendeku ndërmjet të ardhurave të qytetarëve që marrin pagë nga shteti dhe të atyre që punojnë në sektorin privat.
Sipas ekspertëve të ekonomisë, joshja e kuadrove me pagat dhe benifitet e tjera që ofron publiku, ndikon në dobësimin e mëtejshëm të sektorit privat dhe rrjedhimisht edhe aftësisë për të gjeneruar vende të punës dhe zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik, prej nga do të duhej të financoheshin pastaj skemat sociale dhe pagat.