Me privatizim po synohet të amnistohet krimi në Telekom

Posta dhe Telekomi i Kosovës

Punëtorët e Telekomit të Kosovës nuk po pajtohen me vendimin e Qeverisë se Kosovës që të fillojnë procedurat për privatizim, kurse mbështesin procedurat e ristrukturimit të kësaj kompanie.

Qeveria e Kosovës më 22 janar të këtij viti, ka marrë vendim që të privatizohet kjo kompani, kurse fillimisht të hyjë në fazën e ristrukturimit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, procesin e privatizimit e ka vlerësuar shpëtim, pasi për shkak të humbjeve financiare, rrezikohet seriozisht likuiditeti i kompanisë.

Por, Sindikata e Postës dhe Telekomit të Kosovës po kundërshton këtë proces. Lamih Balaj, kryetar i kësaj sindikate, tha për Radion Evropa e Lirë, se pa dhënë përgjegjësi personat që kanë shkatërruar kompaninë, nuk do të ketë privatizim.

Reklama e sponzorizuar

“Privatizimi nuk duhet të ndodhë për shkak se nuk mund të amnistohet krimi që iu ka bërë Telekomit të Kosovës, dëmtimi që është bërë më vetëdije dhe tashmë ta privatizojmë dhe të mbulojmë këtë krim. Për momentin për sindikatën është i mbyllur kapitulli i privatizimit dhe aq më pak nuk do të lejohet që as në një formë edhe në rast të ristrukturimit, të zvogëlohet numri i punëtorëve ose të zvogëlohen pagat, sepse punëtorët më pagat e tyre, nuk mund të paguajnë ‘haraçin’ e dikujt tjetër”, tha Balaj.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala. Operatori Vala ka mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.