Paralajmërohet shtrenjtimi i naftës në Kosovë

Kjo ngritje, sipas naftëtarëve, mund të bëhet shumë shpejt pasi, siç thonë ata, ka një ngritje të trendit të çmimit në të gjitha tregjet botërore gjë e cila ka ndikuar edhe në Kosovë.

Kryetari i shoqatës së naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për Gazetën Blic se kjo ngritje e çmimeve ka ardhur si shkak i berzës ndërkombëtare.

“Sa i përket çmimit te derivateve, çmimin e përcakton Berza dhe organizata prodhuese OPEC. Në organizatën prodhuese OPEC kemi prodhim më të ulët dhe kjo ka ndikuar që çmimet të jenë në rritje edhe në tregjet ndërkombëtare dhe ka reflektim edhe tek ne në Kosovë. Çmimet janë në rritje me shumicë të importit dhe pritet të ketë edhe rritje me pakicë”, tha ai.

Reklama e sponzorizuar

Aktualisht çmimi i derivateve në Kosovë për dizel është 1.10 euro kurse për benzinë 1.11 euro.

E për këtë, Berjani tha se çmimet mund të rriten deri në 5 cent më shumë.
Kjo pasi gjatë vikendit, thotë ai, ka pasur ngritje të çmimit me shumicë për 5 cent.

“Qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer me çmimet më të lira të derivateve në rajon përveç Maqedonisë e cila ka akcizë më të ulët. Në import gjatë vikendit ka pasur rritje deri në 5 cent. Me siguri që edhe me pakicë do të ketë rritje të çmimit”, përfundoi Berjani.