Taksa 100 për qind e vendosur ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnja e ka ulur në pikën minimale importin e produkteve nga këto vende, thonë statistikat e fundit mbi tregtinë e jashtme. Vetëm 0.4 për qind e totalit të importit për muajin janar 2019 nga vendet e CEFTA-së ka qenë import nga Serbia, përcjell Buletini Ekonomik.
Por është interesante se përkundër kësaj produktet “Made in Kosova” vazhdojnë të eksportohen në Serbi kënaqshëm. Serbia është partneri i tretë tregtar në mesin e vendeve të CEFTA-së kur janë në pyetje eksportet e Kosovës.
“Në muajin Janar 2019, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 7,4 milion euro, ose 31.9 të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (22.8%). Partner kryesor për eksport nga vendet e CEFTA-së janë: Shqipëria (10.9%), Maqedonia (8.7%), Serbia (6.1%), Mali i zi (4.9%)”, thuhet në raportin e ASK-së mbi Tregtinë e Jashtme për muajin janar 2019.
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin janar 2018, arritën në 19,8 milion euro, ose 10.4 për qind të importeve të përgjithshme, me një rënie prej 46.5 për qind. “Vendet me pjesmarje më të lartë për import ishin: Maqedonia (5.7%), Shqipëria (3.6%) dhe Serbia (0.4 %)”, thuhet në raport. /Buletini Ekonomik/