Procedurat e zgjatura e dokumentet e shumta po ndikojnë që qytetarët t’u largohen bankave për kredi. Si zgjidhje për të marrë paratë që u nevojiten më shpejt, po i shohin institucionet financiare jobankare, që janë hapur së fundi në vend. Por, disa prej këtyre institucioneve po akuzohen për mashtrim. Për këto ankesa të klientëve, në institucionin që është përgjegjës për licencimin e tyre (BQK), thonë se janë ndërmarrë masa ndëshkuese.
Shumë prej qytetarëve të vendit më nuk po u drejtohen bankave për kredi.
Normat e larta të interesit, procedurat e stërzgjatura e dokumentet e shumta që po u kërkohen nëpër këto institucione financiare po del të jenë arsye për këtë.
Tani kosovarët po preferojnë që të marrin kredi të shpejta, nëpër institucionet financiare jo bankare që janë hapur së fundi nëpër gjithë komunat e Kosovës, të cilat ofrojnë kredi vetëm me letërnjoftim e për 15 minuta.
Numri i të interesuarve për të tilla kredi po del të jetë goxha i madh. Në një prej këtyre institucioneve i kanë thënë Gazetës Express se çdo ditë për kredi u drejtohen deri në 500 qytetarë.
Por, jo të gjithë prej klientëve po janë të kënaqur me shërbimet që po ofrohen aty.
Madje, disa prej qytetarëve po i akuzojnë edhe për mashtrim.
Në institucionin që është përgjegjës për licencimin e IFJB-ve, thonë se ndaj institucioneve që kishte ankesa, janë ndërmarrë masa ndëshkuese për shkeljet që kanë bërë.
Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes Bankare në Bankën Qendrore të Kosovës, Mentor Geci i ka thënë Gazetës Express se ata ndërmarrin masa ndëshkimore, administrative dhe monetare çdo herë kur vërejnë shkelje.
Deklaron se masa të tilla janë marrë edhe së fundi.
“Çdoherë kur ne vërejmë se ka shkelje sidomos kur shkelja ka të bëjë me dëmtim të klientëve në marrim masa që fillimisht të zhdëmtohen klientët dhe më pas vijnë masat ndëshkimore administrative”, ka thënë Geci.
Geci thotë se një pjesë e rëndësishme e marrjes së masave vjen nga ankesat e qytetarëve.
“Një pjesë e rëndësishme e marrjes së masave vjen edhe nga ankesat e qytetarëve që i trajtojmë seriozisht. Tek këto përveç ankesave që i kemi pasur, kemi vërejtur edhe në raportet financiare që i kemi marrë prej tyre në baza të rregullta”, tha ai.
Ai ka folur edhe lidhur me ekzaminimet që janë kryer në disa institucione financiare së fundi.
Deklaron se gjatë këtyre ekzaminimeve kanë hasur në shpërputhje me legjislacionin në fuqi, dhe se kanë ndërmarrë masa ndaj tyre.
“Kemi hasur shpërputhje në krahasim me legjislacionin në fuqi dhe kemi ndërmarrë masat ku në bazë të procedurave që i kemi, pasi në një institucion ndërmerren masat atëherë pjese e masave janë edhe rekomandimet që i kemi për atë institucion dhe pjesa e dyte e punës që e kemi si rregullator dhe mbikëqyrës është që ato masa të vërtetohen a po adresohen rekomandimet që i kemi dhënë”, ka thënë Geci.
Ndërkohë nga njohësit e sistemit bankar, hapja e shumë institucioneve të tilla po shihet edhe si rrezik, pasi që siç thonë qytetarët nuk janë shumë të informuar rreth tyre.
Eksperti bankar, Flamur Keqa, i ka thënë Gazetës Express se Banka Qendrore e Kosovës duhet të jetë e kujdesshme për numrin e institucioneve që i licencon.
Deklaron se ngarkimi i tregut me operatorë të tepërt krijon çrregullime në treg dhe mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e konkurrencës.
“Pavarësisht mundësisë ligjore për të hapur institucione financiare jo bankare licencuesi i këtyre institucioneve duhet të jetë i kujdesshëm për numrin të cilin e licencon. Kjo vlen edhe për institucionet bankare dhe të tjera. Tregu në ekonominë kosovare paraqet një mekanizëm dhe hapësirë ku sfidohen oferta dhe kërkesa për produkte dhe shërbime të caktuara jobankare”, tha Keqa.
Keqa deklaron se qytetarët nuk po kanë shumë informacione lidhur me aktivitetin e këtyre institucioneve, licencimin dhe mbikëqyrjen dhe se kjo krijon rrezik që edhe të mashtrohen.
“Kohëve të fundit në treg po vërehet paraqitja e institucioneve të ndryshëm financiare për të cilat publiku kosovar nuk po ka informata të mjaftueshme ose nuk ka aspak informata lidhur me aktivitetin e tyre, licencimin, mbikëqyrjen dhe kjo krijon rrezik dhe njehërësh frikë potenciale sa i përket mundësisë eventuale të mashtrimit, keqpërdorimit e kështu me radhë”, deklaroi Keqa për Express.
Ndryshe, në tërë vendin të licencuara nga BQK-ja janë vetëm 10 banka, të cilat kanë filialet e tyre nëpër gjithë Kosovën, ndërsa numri i IFJB-ve shkon në mbi 60, të cilat ofrojnë mundësi pagese, kredi dhe transferim parash.