Telekomi i dha jashtëligjshëm qasje një kompanie që dëshiron ta privatizojë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka pranuar në raportimin para Komisionit Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, se menaxhmenti i Telekomit ka nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti me një nga kompanitë e interesuara për privatizimin e Telekomit, “Artillery One”.

Ai ka thënë se kjo marrëveshje i lejon kompanisë në fjalë qasjen në data-roomin e Telekomit që të ketë qasje në gjithçka që ndërmerr Telekomi, në mënyrë që kur të ofertojnë për privatizim të dinë më mirë se çka do të blejnë, raporton KTV.

Reklama e sponzorizuar

Sipas tij, ky është veprim i jashtëligjshëm sepse një proces i tillë, sipas Llukës, s’duhet të ndodhë pa u bë një komision që merret me të gjitha procedurat e privatizimit.

Deklarimi i tij erdhi pas shqetësimeve të ngritura nga deputetët në komision.

Lluka ka konfirmuar se deri tash janë katër kompani të interesuara për privatizimin e Telekomit.

Sa i përket punësimeve të fundit, ka thënë se ato janë në kontratë mbi vepër.

Sipas Llukës, numri i punëtorëve në Telekom ka arritur në 2500.