Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një konferencë për media, i ka dhënë mesazhe të qarta kreut të Qeverisë, Ramush Haradinaj, që duhet të ruhet miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Thaçi ka thënë se Kosova assesi nuk duhet që në sytë e partnerëve të duket si pengues e vazhdimit të dialogut, duke propozuar jo heqjen e taksës, por siç ka thënë presidenti, një pezullim të përkohshëm për t’i hapur rrugë dialogut të Brukselit.
Ai ka thënë se kjo taksë sigurisht që po i shkakton dëme të mëdha Serbisë, megjithatë nuk ka ndonjë çmim i cili mund të paguaj prishjen e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Në kuadër të qëndrimit dy ditor kemi zhvilluar dhjetëra takime. Kemi pas edhe takime të shkurtra edhe me sekretarin Mike Pomepon. Kam takuar edhe kongresmenin Engel. Ne duhet të vazhdojmë të investojmë fuqishëm për të ruajtur partneritetin strategjik me SHBA-të. Një kultivim i tillë i raporteve, garanton progres e të ardhme të sigurt, anëtarësim në NATO edhe BE, por edhe në OKB. Ajo që dua të potencoj është që SHBA, sic e ka theksuar Trump, e ambasadorët në Kosovë e në Beograd, është që Kosova duhet të jetë e përgjegjsheme në angazhimet e veta shtetërore, të ruaj partneritetin me shtetet që e kanë ndihmuar gjithmonë, që janë SHBA e BE. Prandaj edhe thirrja e SHBA-së për institucionet e vendit, është që Kosova të kaloj këtë përcepcion të krijuar si pengesë për negociata dhe për arritjen e marrëveshjes me Serbinë. Që Kosova të tejkalojë këto pengesa, në veçanti pezullimin e taksës në mënyrë që të vazhdojë dialogu me Serbinë në Bruksel”, ka thënë Thaçi para gazetarëve.
Sipas presidentit, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zhvillohet i pakushtëzuar.
Ndërkohë thotë se vendimi për pezullimin e taksës duhet të merret nga Qeveria, partnerët e koalicionit.
“Dialogu duhet të zhvillohet i pa kushtëzuar. Prandaj mendoj se kjo këshille duhet respektohet, jo për t’u hequr taksa, por për ti dhanë mundësi për një pezullim të përkohshëm, një procesi të një angazhimi të gjithanshëm ndërkombëtar. Natyrisht se ky vendim i takon qeverisë së Kosovës, partnerët e koalicionit. Duket që Serbia po dëmtohet ekonomikisht, por nuk ka çmim që mund të paguaj dobësimin e raporteve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Të ruhet miqësia me amerikën. Ftoj spektrin politik të mendojnë urtë e mençur”, ka shtuar presidenti.
Thaçi gjithashtu ka thënë se duhet të parandalohet ideja e Haradinajt për organzimin e një konferncë ndërkombëtare për Kosovën, pasi sipas tij aty do ti’i jepej mundësi Rusisë dhe Kinës, që të ndërhynin në dialog, me rrezikun për hapjen e dhe të statusit të Kosovës.
I pyetur nga gazetarët se çfarë ka dashur të thotë me deklaratën për korrigjim të lehtë të kufijve, Thaçi është arsyetuar se Kosova duhet të zyrtarizojë kufijtë me Serbinë njëjtë siç ka vepruar me Maqedoninë e Malin e Zi.
“Ne kemi bërë zyrtarizmin e kufirit me Maqedoninë, diçka e tillë ka ndodhur me Malin e Zi, dhe e njëjta procedurë duhet të respektohet për angazhimet tona për njohje reciproke me zyrtarizmin e kufijve të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Kufijtë janë edhe në veri edhe në jug, për të ndodhur njohja ndërkombëtare”, ka thënë ndër të tjera Thaçi.