Aktivistë të Vetëvendosjes kanë vendosur mbishkrime te ndërtesa e Telekomit, të cilën e kanë quajtur vend për rehatimin e familjarëve të politikanëve.
Aktivistja Rinë Xhitia ka thënë se ditë më parë ky subjekt politik dhe mediat kanë raportuar për skandalin e punësimeve të rreth 200 personave në këtë ndërmarrje, të gjithë militantë partiak dhe familjarë të partive politike.
“Më shumë se ndërmarrje publike e për interes të vendit, koalicioni PDK, AAK dhe Nisma e kanë bërë Telekomin si degë të tyre ku rehatohen klientelë dhe familjarët e tyre”, ka thënë ajo.
Hetuesisë i ka kërkuar hetime të kontratave, siç ka thënë, të dëmshme dhe punësimeve të jashtëligjshme. Qeverisë i ka kërkuar që të zbatojë rezolutën për Telekomin të miratuar muaj më parë në Kuvend.