Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), për herë të parë ka bërë matjen e ekonomisë së pavrojtuar në Kosovë, duke përfshirë katër (4) sektorë: transportin, hotelerinë, ndërtimtarinë dhe restorantet. Sektori i ndërtimtarisë është matur për vitin 2017, kurse në tre sektorët e tjerë janë bërë matjet për TM3 2018.
Sipas anketës, (sipas klasifikimit të NACE Rev. 2) rreth 34% e bizneseve merren me transport tjetër tokësor të udhëtarëve; rreth 31% e bizneseve veprojnë si taksi; derisa 29% e bizneseve merren transport rrugor të mallrave; dhe 6% merren me transport tokësor urban dhe periferik.
Ndërkaq, te sektori i hotelerisë, rreth 47% të dhomave janë me nga një shtrat; 41% të dhëomave janë me dy shtretër; 7% janë me 3 e më shumë shtretër; 4% janë apartamente; 0.1% janë rezidenca; dhe 1% tjetër. Numri mesatar i punëtorëve të përhershëm në hotelet e anketuara ishte pak më i lartë në muajin korrik (mesatarisht 5.97 persona) dhe gusht (mesatarisht 5.93 persona), në krahasim me shtatorin (ku mesatarisht ishin 5.73 persona).
Te sektori i restoranteve, aktivitetet më të shpeshta ishin: bar, kafeteri (44%), ushqimet e shpejta (34%); restorantet (31%); dhe klubet (1%). Më shumë se gjysma e bizneseve që ishin pjesë e kësaj ankete, raportuan se njësia biznesore në të cilën veprojnë me aktivitetin e tyre ekonomik është e marrë me qira, rreth 54%; rreth 35% e bizneseve raportuan se njësia biznesore i takon atyre, pavarësisht nga lokacioni; përderisa 12% e bizneseve veprojnë në një njësi që është pjesë e shtëpisë së tyre.
Te sektori i ndërtimtarisë, një biznes i zakonshëm raportoi se rreth 89% e vlerës së punimeve të realizuara në vitin 2017 i takon kategorisë Ndërtime të reja; rreth 7% i takon kategorisë Mirëmbajtje dhe riparime të vogla; dhe 4% Riparime të mëdha të ndërtimeve ekzistuese.