Arrestohet një person që falsifikonte dokumente të veteranëve të UÇK-së

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale ‘falsifikim i dokumentit’ dhe ‘mashtrim’ ka arrestuar një person të dyshuar në Prishtinë.

Pas hetimeve disa mujore nga Policia e Kosovës, rezulton se i dyshuari (S. Sh.) dyshohet të këtë rregulluar certifikata dhe vërtetime të falsifikuara të veteranëve të UÇK-së, shërbime për të cilat dyshohet se ka përvetësuar para.

Policia e Kosovës thotë se gjatë aplikimit të teknikave të avancuara dhe angazhimit sistematik hetimor të zyrtarëve kompetentë ka siguruar si prova materiale certifikata dhe vërtetime të dyshuara për falsifikim.

Reklama e sponzorizuar

“Bazuar në hetimet policore, dyshohet se i njëjti kishte pajisur me certifikata dhe vërtetime të veteranëve të UÇK-së tre persona, përderisa ekzistojnë dyshimet se i njëjti përveç këtyre personave mund të ketë pajisur me dokumente të tilla edhe persona të tjerë, për të cilët PK-ja është duke kryer hetime”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës për të njëjtin rast thotë se do të ndërmarrë edhe veprime tjera hetimore, pasi që dyshohet se ka edhe persona të tjerë të përfshirë në këtë rast.

“Pas intervistimit i dyshuari me urdhër të prokurorit kompetent është dërguar në qendër të mbajtjes për 48 orë”, thuhet në fund të njoftimin të policisë.