Bajrami e pyet Lekajn: Pse nuk po e gjobit Bechtel-Enkan për vonesa?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në një prononcim për Buletini Ekonomik, ka kërkuar përgjegjësi nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, se pse nuk po merr vendim që ta gjobisë Bechtel-Enkan, për vonesa në kryerjen e punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Bajrami ka thënë se në aneks-kontratën e arritur mes Qeverisë dhe Bechtel-Enkas është paraparë qartë që secila palë që bën vonesa në kryerjen e obligimeve do të gjobitet.

Deri më tani kjo ka ndodhur vetëm ndaj shtetit të Kosovës ku për vonesa në pagesa do t’i paguhen Bechtelit plot 53 milionë euro. Por me ketë aneks-kontratë, sipas Bajramit, deri më tani është dashur të kryhet autostrada, përkatësisht deri në fund të vitit 2018, shkruan Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“E di që ka dispozita në kontratë që nëse ka vonesa nga punëkryesi duhet të gjobitet. Nuk e di pse ministri aktual nuk po ndërmerr masa”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, shteti i Kosovës është detyruar t’ia paguajë kompanisë ndërtuese të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, 53 milionë euro për vonesa në pagesa. Por e njejta deri më tani nuk po ndodhë edhe ndaj kësaj kompanie, e cila sipas kontratës është dashur ta përfundojë autostradën deri në fund të vitit 2018. /Buletini Ekonomik/