Drejtori i Shpend Ahmetit emërohet drejtor financiar në “Termokos”

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ismail Kokaj, është zgjedhur ditë më parë drejtor financiar në ndërmarrjen publike komunale “Termokos”.

Ai ka konkurruar në pozitën e dytë, në të cilën edhe është zgjedhur, përderisa vazhdon të mbajë ende pozitën e parë. Një veprim i këtillë po konsiderohet konflikt interesi nga përfaqësuesit e opozitës në Komunë.

Këta të fundit thonë se Kokaj do të duhej të jepte dorëheqje nga posti i drejtorit të kabinetit të Shpend Ahmetit përpara se të kandidonte për postin e ri.

Reklama e sponzorizuar

Por meqë nuk e ka bërë një gjë të këtillë , zgjedhja e tij në postin drejtues të një ndërmarrjeje komunale ku ka kandiduar duke qenë drejtor në Komunë përbën konflikt interesi.

Kryetari Shpend Ahmeti e ka arsyetuar zgjedhjen e Kokajt në pozitën e re, duke thënë se për këtë është vënë në dijeni dhe madje edhe e ka aprovuar kandidimin e tij për drejtor në ndërmarrjen komunale.