Ulja e lindshmërisë, rritja e jetëgjatësisë dhe emigrimi në shifra alarmante. Këta janë disa nga faktorët kryesorë që kanë krijuar mungesa të theksuara të fuqisë punëtore jo vetëm në shtetin kroat por edhe në shtete të tjera të Europës Lindore.
Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, gjatë dimrit të ftohtë boshnjak, një delegacion i grupit të hotelerisë kroate Jadranka u caktua që të zhvillonte takime në Bosnjën Verilindore, kryesisht në tre qytete, Tuzla, Bijeljina, Bërçko, me qëllim që të rekrutonte punëtorë të rinj dhe t’i merrte ata më vete në Mali Lošinj dhe Cres.
Por ndërsa puna në këtë sektor nuk do të fillojë deri në hapje të sezonit, mungesa e madhe e fuqisë punëtore gjatë 2018 dhe pritshmëritë se ajo do të rritet gjatë 2019, kanë bërë që shumë biznese të vihen në lëvizje përpara fillimit të sezonit. Niveli i pagës fillon nga 500 euro. Gjatë vitit 2018 kemi dëgjuar shpeshherë për rritje të pranisë së punëtorëve të huaj në ekonominë kroate.
Vite pas anëtarësimit në BE dhe kalimit të krizës financiare, migrimi dukej se po shkonte vetëm në një drejtim, nga Kroacia në vendet që tashmë kanë një traditë të emigracionit, si Gjermania apo ekonomitë e hapura si Irlanda. Shteti kroat u përball me mungesë të fuqisë punëtore në momentin kur ekonomia nisi të rimëkëmbej.
Me më shumë se 9,000 leje të lëshuara për punëtorët e huaj të pranishëm në vend, në vitin 2018 qeveria kroate arriti një numër rekord prej 21,210 hyrjesh të reja, kryesisht shtetas me origjinë jashtë BE-së. Më vonë shifra u rrit në 29,769. Sektorët kryesorë ishin ndërtimi dhe turizmi, ndjekur nga industria e metaleve, ndërtimi i anijeve, transporti, industria ushqimore dhe e konservimit, sektori i teknologjisë së lartë dhe bujqësia. Një sërë sektorësh hapën vende pune si për punëtorë të kualifikuar ashtu edhe për ata të pakualifikuar.
Mungesa e fuqisë punëtore nuk është vetëm në Kroaci një prej problemeve më të rëndësishme, por edhe në shtete të tjera të Europës lindore. Në Hungari, protesta të mëdha shpërthyen kundër vendimit të qeverisë së Orbanit për të rritur numrin e orëve në punë, në rreth 400 orë në vit, si një lëvizje për të zbehur disi mungesën e fuqisë punëtore. Në të katër shtetet e Vishegradit ka më shumë se 520,000 vende të lira pune, kryesisht si pasojë e uljes së normës së lindshmërisë dhe rritjes së emigrimit në vendet e Europën Perëndimore. Këto janë disa prej shkaqeve që kanë shkaktuar mungesën e fuqisë punëtore në Kroaci. Sipas Iva Tomiç, nga Instituti i Ekonomisë së Zagrebit, “ne jemi në një situatë të ndryshimeve të mëdha demografike.
Nga njëra anë, shkalla e ulët e lindshmërisë, në tjetrën jetëgjatësia është rritur shumë. Për shkak të nivelit të pandërprerë të uljes së lindshmërisë, numri i të rinjve që po hyjnë në tregun e punës po ulet. Ndërkohë edhe numri i personave në moshë pune po shënon ulje. Nëse shifrave të mësipërme do t’i shtojnë edhe numrin e lartë të emigrantëve (sipas të dhënave zyrtare të statistikave, pothuajse 200,000 persona të larguar nga viti 2009 deri në 2017), prej të cilëve më shumë se 47% i takojnë grupmoshës midis 25 dhe 44 vjeç, hendeku i mungesës së fuqisë punëtore do të rritej. Pikërisht punëtorët e huaj pritet ta ngushtojnë këtë hendek.