Që nga muaji tetor i vitit të kaluar, kur Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) mori vendim për largimin e drejtorëve dhe udhëheqësve të këtij institucioni, MASHT-i është duke paguar nga dy persona për pozitat e njëjta. Kjo po i kushton Ministrisë mijëra euro.
Largimin e drejtorëve dhe udhëheqësve të divizioneve Ministria e kishte bërë duke u bazuar në “Rregulloren për organizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në MASHT”, të cilën e kishte miratuar Qeveria, shkruan sot “Koha Ditore”.
Të larguarit nga pozitat e tyre kjo ministri i kishte zëvendësuar me ushtrues detyre. Burime të gazetës brenda MASHT-it e kanë konfirmuar se tash e pesë muaj ky institucion është duke i shpenzuar mijëra euro pa nevojë pasi me pagë të njëjtë po i paguan edhe të larguarit, por edhe ushtruesit e detyrës. Bëhet fjalë për rreth 32 pozita, të cilat janë zëvendësuar me persona të tjerë.
Drejtorët e departamenteve kanë koeficient 10 dhe paguhen me pagë rreth 590 euro, derisa udhëheqësit e divizioneve kanë koeficient 9 dhe paguhen rreth 540.