Mushkolaj: Taksa e ka bërë PDK-në një AKR të zakonshme

Sjellje joshtetërore e ka quajtur analisti Imer Mushkolaj përplasjen e krerëve të shtetit se kush e ka fajin për taksën ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Në kontekst të politikës së brendshme, Mushkolaj në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh kryetar i AAK-së është në pozicion më të mirë, meqë siç ka thënë ai, partnerit të Haradinajt në koalicion, PDK-së dhe Kadri Veselit nuk i konvenon që të shkojë vendi në zgjedhje me taksën në fuqi.

“PDK-ja duket si një AKR e zakonshme, që është aty po nuk ka kurrfarë fuqie të vendimmarrjes”, ka thënë Mushkolaj.

Reklama e sponzorizuar

Mushkolaj ka thënë se nëse miqtë ndërkombëtarë thonë se dialogu nuk mund të vazhdojë pa u hequr taksa, atëherë taksa do të hiqet.

“Nëse shikohen arsyet se përse është vendos, nuk ka arsye të hiqet ajo. Sepse në atë kontekst asgjë nuk ka ndryshuar. Fushata negative e Serbisë vetëm sa është intensifikuar”, ka thënë Mushkolaj, përcjell Koha.net.

“Por në anën tjetër duhet të shihet se çfarë instrumenti është taksa. Nëse është instrument politik duhet të shihet se a mund të hiqet si vendim politik. A mund të negociohet taksa? Nëse ne e kemi vënë taksën si vendim politik për të siguruar njohjen nga Serbia atëherë pse kemi bërë Ekip, Ligj e Platformë për dialog. Thjeshtë e kemi taksën, dhe po presim njohjen”, ka thënë Mushkolaj më tej.

Duke komentuar reagimet në Serbi për Platformën e Kosovës për dialog ai ka “nuk e ka përjashtuar mundësinë që kjo është një lojë e Serbisë”.

“Nuk është se Serbia nuk e ka ditur çfarë synon Kosova, se qëllim e ka njohjen. Por e shfrytëzon maksimalisht për të përfituar poenë”, ka thënë Mushkolaj.

“Njësoj si me taksën. Nuk është se me taksë e kemi sakatu Serbinë, e kemi shtri për toke ekonominë e saj. Natyrisht se jo. Por Serbia e ka shfrytëzuar shumë mirë për qëllimet e veta taksën që ia kemi vënë ne”, ka thënë ai.

Mushkolaj ka kritikuar edhe vizitën e Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit në Bruksel, për t’u takuar me këshilltarët e Federica Mogherinit.

“Nuk ishte fare e nevojshme kjo vizitë. Këto veprime po ndërmerren për të imponuar fuqinë e këtij Ekipi, për të thënë se ai është që flet në emër të Kosovës. Platforma do të mund të dërgohej edhe përmes rrugëve tjera, pa pasur nevojë për të shkuar atje”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka ripërsëritur se taksa, bashkë me FSK-në janë dy atributet e forta të kësaj Qeverie për të mbuluar skandalet e shumta që i ka bërë në qeverisje.

Në anën tjetër është shprehur kritik edhe ndaj opozitës.

“Ku është Vetëvendosja? Vetëvendosje e cila kishte bërë tentim atentat ndaj kryeministrit Mustafa? Pse nuk është më agresive kjo parti ndaj z. Haradinaj”, ka thënë ai.

Po kaq kritik është shprehur edhe me LDK-në, që ka thënë se po mundohet me seanca të jashtëzakonshme të bëjë opozitë.

Sa i përket Listës Serbe, ai ka thënë se është e vërtetë që ajo vepron me direktiva të Serbisë, por në këtë aspekt asgjë nuk ka ndryshuar te kjo parti, as kur ka qenë në pushtet me PDK-në e LDK-në, e as kur u bë në koalicion me Haradinajn në krye të ekzekutivit.

Mushkolaj ka bindjen se zgjedhjet e reja në vend mund të vijnë vetëm si pajojë e heqjes së taksës.