Ndikimi i taksës 100%: Serbia mban vetëm 0.4 për qind të importeve

Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës e ka ndryshuar strukturën e importeve të Kosovës. Derisa Serbia në të kaluarën i ka dominuar importet, pas vendimit për taksën, shteti fqinj ka patur rënie të theksuar në eksportimin e produkteve në Kosovë.

Raporti më i ri i Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregon se pjesëmarrja e importeve nga Serbia ka shkuar nga 15.9 në 0.4 përqind, shkruan Buletini Ekonomik.

Importet direkte nga Serbia për muajin janar 2019 kanë shënuar rënie nga 30 milionë e 900 mijë euro në 788 mijë euro në krahasim me janarin e vitit të kaluar (mbi 30 milionë euro rënie). Kështu konstatohet në raportin më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Në muajin shkurt ministri i Tregtisë së Serbisë Rasim Lajiq ka thënë se Kosova ka mallëra serbe dhe se ato po hyjnë nga Serbia përmes Mitrovicës veriore. Veç tjerash, Lajiq e ka përmendur Maqedoninë e Kroacinë si vende të ripaketimit të mallërave të Serbisë. Sipas tij, në këtë mënyrë u ndërrohet vendi i origjinës që shënohet në paketimin e produkteve.

Po ashtu, raporti tregon se Maqedonia ka eksportuar rreth 3 milion euro më shumë në janarin e këtij viti se në janarin e vitit 2018, duke e rritur pjesëmarrjen në importe nga 4 në 5.7 përqind. Kroacia nga ana tjetër ka importuar më shumë (rreth 1 milionë euro) dhe e rritur praninë në importe nga 1.8 në 2.4 përqind. /Buletini Ekonomik/ (Ardit Kika)