Fitore bindëse e opozitës

Albin Kurtit i ka ardhur dita ta udhëheqë Qeverinë e Kosovës. Mbështetur në rezultatet preliminare, rreth pesë mijë vota ka marrë Kurti më shumë sesa kundërkandidatja nga Lidhja Demokratike, Vjosa Osmani, shkruan sot “Koha Ditore”.

Opozita e deritashme ka shënuar fitore bindëse në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit. Nga 95.5 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 196 mijë e 833 vota (25,79 për qind), ndërsa LDK-ja 191 mijë e 312 vota (25.06 për qind).

Mbështetur në rezultatin zgjedhor dhe deklarimet publike të VV-së e LDK-së, partitë që deri tani përbënin koalicionin qeverisës, e quajtur PAN, shkojnë në opozitë. PDK-ja ka fituar 21.21 për qind, koalicioni AAK-PSD- 11.62 për qind. Koalicioni i bashkuar rreth Fatmir Limajt nuk ka arritur ta kalojë pragun. Lista Serbe ka dalë forca e parë në mesin e serbëve.

Reklama e sponzorizuar

Kurti u shpall luftë të korruptuarve, LDK-së ftesë për bashkëqeverisje

Në orët e mesnatës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje u është drejtuar kosovarëve si kryeministër në ardhje. Pas konferencës për gazetarë, bashkë me zyrtarë ka ecur në këmbë nga “Arbëria” ku është selia e Vetëvendosjes, drejt Sheshit qendror për të festuar bashkë me aktivistët e kësaj partie.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se nuk do të shfaqin arrogancë ndaj askujt derisa u ka shpallur luftë të korruptuarve dhe kapësve të shtetit. Ai ka paralajmëruar se që nga e hëna do të nisë përgatitjet për formimin e Qeverisë së re.

“Duhet ta vendosim Kosovën në binarë të zhvillimit. Me fitoren tonë merr fund kapja e shtetit. Na presin shumë punë. Nuk ka rrezik e armik që i frikësohemi”, ka thënë Kurti.