Qeveria vazhdon me shpenzimin e rezervave shtetërore

 Rezervat e shtetit, pos nëpërmjet vendimit, edhe praktikisht kanë 180 mijë euro më pak. Ministria e Financave këtë shumë e ka transferuar në llogarinë bankare të shtëpisë filmike “Iliria Film”. Kësisoj, e ka ekzekutuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që bie në kundërshtim me dy ligje, për të financuar projektin filmik “Lojë jete” të regjisorit Luan Kryeziu. Madje ekzekutimi i vendimit është bërë brenda dy javësh nga nxjerrja e tij. Qeveria më 12 shkurt kishte marrë vendim që të financohet filmi e mjetet janë derdhur në llogarinë e “Iliria Film”, në ditën e 26-të të atij muaji.

Gazeta “Koha Ditore” ka raportuar se vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me Ligjin për kinematografi dhe me atë për menaxhimin e financave publike dhe në kundërshtim me vendimin e jurisë së Qendrës Kinematografike të Kosovës, që vitin e kaluar nuk e kishte financuar këtë projekt.

Por edhe mënyra e derdhjes së mjeteve në llogari dallon nga procesi ligjor, të cilin e përfill Qendra Kinematografike e Kosovës, si institucioni i vetëm ligjor që financon projektet kinematografike. Përderisa për projektin filmik “Lojë jete” Ministria e Financave e ka derdhur krejt shumën në llogarinë e “Ilira film”, në QKK procedurat janë të tjera.

Reklama e sponzorizuar

Sipas ligjit, Qendra Kinematografike e Kosovës nis me ekzekutimin e pagesave për shtëpitë filmike pasi ato kompletojnë dokumentacionin. QKK-ja financon deri në 51 për qind të shumës së përgjithshme të kostos për filma të metrazhit të gjatë.

Sipas sqarimeve që ia ka thënë ky institucion gazetës, producentëve shuma e përkrahjes u ndahet në tri faza. Për ta ekzekutuar pjesën e parë producentët duhet të sjellin dokumentacionin që dëshmon se e kanë siguruar pjesën tjetër të financave dhe të gjitha kontratat me palët e përfshira në projekt.