Rënie alarmante e nivelit të ujit në liqenet akumuluese

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se niveli i ujit në liqenet akumuluese ka pësuar rënie.

Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 4 metra nën kuotën maksimale, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit 4.2 metra nën kuotën maksimale.

Krahasuar me vitin e kaluar në të njëjtën periudhë 12 mars 2018, të dyja liqenet ishin në nivelin kapërderdhës, pra mbi kuotën maksimale.

Reklama e sponzorizuar

“Pothuajse nga gjysma e vitit të kaluar e deri më tash kemi mungesë të reshjeve atmosferike dhe po të mos ishte marrja e ujit nga liqeni i Ujmanit, nivelet e tanishme do të ishin dukshëm më të ulëta”, ka thënë ujësjellësi “Prishtina”.

Pavarësisht gjendjes së tanishme / rënies së nivelit të ujit në liqene, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” thotë se kanë edhe plane konkrete për menaxhimin e thatësirës dhe në varshmëri të niveleve parashikohen edhe hapat që duhet të merren për menaxhimin e situatave në akumulacione dhe burime nëntokësore në vitet me thatësira që vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike në tokë.

Ndërkaq, Kompania ka bërë një krahasim me vitet paraprake.

Viti me thatësira më të mëdha që janë prekur nivelet e ujit të liqeneve të Batllavës dhe Badocit është viti 2013 deri në muajin prill 2014.

Muaji shkurt 2014, ulja e nivelit të liqenit të Batllavës ka qenë (-13metra) nën nivelin maksimal, ndërsa në po të njëjtin muaj, ulja e nivelit të liqenit të Badocit ka qenë (-14 metra) nën nivelin maksimal.

Rezervat e ujit për prodhim për qytetarët, kanë qenë vetëm edhe për 3 – 4 muaj.

Bashkëpunimi i KRU “Prishtina” me të gjitha komunat dhe drejtoritë e inspekcioneve për të ndalur keqpërdorimet dhe abuzimet me ujin e pijshëm që vijnë nga ana e konsumatorëve të papërgjegjshëm, është në nivelin e kënaqshëm. Në më pak se një dekadë – deri në vitin 2025, gati 75% e popullsisë së botës pritet të jetojnë me burime të kufizuara ujore (një studim i Kombeve të Bashkuara). Vendet, sidomos ato të botës në zhvillim dhe rajone të tjera që tashmë janë duke vuajtur nga mungesa e ujit, ka gjasa të mbajnë peshën e thatësirës dërrmuese ne dekadën që po hyjmë. Pra, theksojmë edhe njëherë se, është shumë me rëndësi që të gjithë së bashku ta menaxhojmë përdorimin e ujit të pijshëm dhe të raportojmë me kohë rrjedhjet e ujit dhe keqpërdorimet.

KRU “Prishtina” thotë se vendi është duke hyrë në sezonin pranverë / verë dhe menjëherë fillohet me rritjen e kërkesave për ujë të pijshëm në zonën e shërbimit edhe pse, furnizimi me ujë të pijshëm është stabil dhe 24 h pa ndërprerë.

Ujësjellësi kërkon nga konsumatorët që të bëjnë shpenzimi racional të ujit të pijshëm në këtë periudhë sepse një gjë e tillë është e domosdoshme.

“Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast mund t’i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm, por ai duhet kursyer pikë për pikë. Roli i ujit është thelbësor për qeniet e gjalla dhe planetin, ai na nevojitet për pije, shtëpi dhe kopshte, por me rëndësi është ta kuptojmë domethënien e përdorimit jo të drejtpërdrejt të ujit si për prodhim, furnizim dhe zhvillim”, thotë KRU “Prishtina”.

Tutje, kompania thotë se hapat që ne ndërmarrim sot për kursim të ujit, janë të një rëndësie jetike për ne dhe fëmijët tanë.

Çfarë mund të bëjë secili prej nesh, për të ndaluar keqpërdorimin e ujit, më poshtë gjeni bashkëngjitur disa këshilla që duhet përmbajtur secili konsumatorë i ujësjellësit “Prishtina” sh.a.

– Mos lejoni të rrjedhë ujë kot nga rubineti juaj,

– Mos përdorni ujin e pijshëm për të larë veturat,

– Mos përdorni ujin e pijshëm për ndërtime të shumta në qytet,

– Mos pastroni trotuaret me ujin e pijshëm,

– Mos harroni t’i mbyllni çezmat tuaja, pasi lani dhëmbët,

– Mos vadisni lulet, kopshtet dhe arat,

– Paguani rregullisht ujin që konsumoni,

– Mos lejoni ndërhyrjet pa leje në rrjetin e ujësjellësit,

– Të gjithë jemi përdorues të ujit, prandaj ne jemi edhe përgjegjës për ta shfrytëzuar atë në mënyrë të drejtë.

– Ujin mund ta zëvendësojë vetëm uji, andaj kurseje atë.

“Nëse i përmbahemi në përpikëri këtyre këshillave të lehta, duke filluar nga koha e tashme, Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Prishtina’ sh.a. do ta furnizojë me ujë të pijshëm secilin konsumatorë në mënyrë të barabartë dhe pa reduktime”, ka theksuar Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”.