Repost: Punësimi i dyshimtë në BQK i kunatës së kryeministrit

Vjosa Muçaj-Ademi, kunata e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, u punësua muaj më parë në Bankën Qendrore të Kosovës pa konkurs dhe vetëm për një afat të caktuar kohor në pozitën “Konsulente për sigurinë dhe shëndetin në punë”.

Por punësimi i përkohshëm i Muçaj-Ademit po del të ketë qenë vetëm pretekst, derisa t’i shpallet konkursi për tu punësuar si e rregullt, shkruan Buletini Ekonomik.

Buletini Ekonomik ka siguruar një kopje të konkursit i cili në titull mban pozitën e njëjtë me pozitën e përkohshme që deri më tani e ka ushtruar kandidatja Muçaj-Ademi.

Reklama e sponzorizuar

“Titulli: Zyrtar për sigurinë dhe shëndetin në punë”, titullohet pozita e re në konkursin e shpallur nga BQK në muajin tetor dhe i cili tashme është i mbyllur.

Në Bankën Qendrore të Kosovës e kanë konfirmuar se Muçaj-Ademi aktualisht në BQK mban pozitën e Konsulentës për siguri dhe shëndet në punë, por nuk kanë sqaruar se pse edhe në konkursin e shpallur figuron e njëjta pozitë.

“Personi i përmendur në pyetjet tuaja, është e angazhuar në ofrimin e shërbimeve të veçanta për periudhë të caktuar kohore në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. E njëjta është e angazhuar si konsulente për siguri dhe shëndet në punë”, ka thënë për Buletinin Ekonomik, zëdhënësi për media në BQK, Kushtrim Ahmeti.

Megjithatë nga ky institucion nuk kanë sqaruar se si u bë që në konkursin e shpallur figuron pozita e njëjtë me atë që e mban përkohësisht Muçaj-Ademi.

Nga BQK nuk kanë treguar as nëse është përzgjedhur kandidati më i suksesshëm e as nëse këtë pozitë e ka marrë përfundimisht kunata e kryeministrit.

Ndryshe Muçaj-Ademi në BQK është punësuar pas ardhjes në pushtet të kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj. Ajo është në lidhje të ngushtë familjare me kryeministrin. Është motra e Anita Haradinajt, gruas së kryeministrit.

Para se të hyjë në BQK, Muçaj-Ademi ka qenë e punësuar në sektorin bankar, në njërën prej bankave komerciale.

Këto punësime në BQK vijnë jo shumë kohë pas zgjedhjes guvernator të Fehmi Mehmetit, i cili e zëvendësoi në këtë pozitë Bedri Hamzën. Edhe ky i fundit ishte i njohur për punësime politike në këtë institucion. /Buletini Ekonomik/