Përkrahja e Kosovës në ditë të mira dhe të vështira nga mërgata

Kontributi i diasporës tash e me dekada të tëra për Kosovën mbarë, popullsinë e saj të varfër, mirëqenien dhe mbijetesën e tyre dhe për zhvillimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, në ditë të vështira dhe të mira, është i pamatë. Sipas të dhënave të BQK-së, shpenzimet e diasporës në Kosovë në vitin 2022 – qoftë në hotele, restorante apo biznese lokale – kanë kapur vlerën e rreth 1.9 miliardë eurove, ndërsa remitencat në vitin e kaluar sipas të dhënave zyrtare ka arritur në 1.2 miliardë euro. Pse ende investimet nga diapora janë të orientuara me shumicë në blerjen e patundshmërive (68 deri në 70 për qind e blerësve të banesave në kryeqytet dhe në qendrat e tjera komunale të vendit, janë nga diaspora)?

Mehmet GJATA

Diaspora kosovare vazhdon të jetë e madhe numerikisht, madje shumë e madhe po të kihet parasysh numri i banorëve të Kosovës, goxha e fuqishme financiarisht dhe vazhdon të ruaj ndërlidhshmërinë me vendlindjen edhe emocionalisht, edhe materialisht. Ata në asnjë periudhë të caktuar nuk i kanë ndërprerë vizitat edhe nga disa herë brenda vitit në atdhe, ndihmat ndaj familjeve në Kosovë, por edhe prurjet në mënyra të ndryshme të parasë së shumtë në vendlindje.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850.000. Tani, ky numër është gjithsesi më i madh edhe për shkakun e liberalizimit të politikave të shteteve të Perëndimit për pranimin e të huajve si rrjedhojë e nevojave të shtuara për punëtorë. Ka dy vjet që praktikisht janë hapur dyert në Perëndimin rigoroz kundrejt pranimit të të huajve, dhe gjatë kësaj periudhe është evidente se me dhjetëra-mijëra kosovarë kanë ikur jashtë.

Sipas të dhënave, diaspora e Kosovës është e përqendruar kryesisht në Gjermani, Zvicër, Austri dhe vende të tjera të Evropës, por gjithsesi më së shumti janë të përqëndruar në Gjermani.

Në ceremoninë e lansimit të platformës “Shijo Kosovën”, e mbajtur këto ditë dhe e cila i dedikohet mërgatës dhe që ka synim atë, kryeministri Albin Kurti tha se “çdo i treti qytetar i Republikës sonë nuk është edhe banor, që do të thotë se mërgata jonë përbën një pjesë të konsiderueshme të popullsisë, përveç se mbase edhe shumicën e ekonomisë sonë, kur kemi parasysh se fuqia jonë punëtore nuk është më pak e pranishme në mërgatë, sesa në vendin tonë. Kosova gjithsej i ka diku rreth 400 mijë të punësuar dhe ne i kemi 400 mijë shqiptarë vetëm në Republikën Federale të Gjermanisë. Pra si fuqi punëtore nuk i kemi më pak në mërgatë sesa brenda vendit”.

Dhe kontributi i kësaj diaspore tash e me dekada të tëra për Kosovën mbarë, popullsinë e saj të varfër, mirëqenien dhe mbijetesën e tyre në ditë të vështira dhe të mira, është i pamatë . Praktikisht, “kontributi i mërgatës së Kosovës ndjehet në të gjithë sektorët e vend” dhe për këtë, kryeministri Kurti edhe një herë gjatë ceremonisë së lansimit të platformës “Shijo Kosovën” shprehu falënderim dhe mirënjohje për angazhimin e vazhdueshëm të diaasporës për zhvillimin dhe shtet-ndërtimin e Kosovës.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, shpenzimet e diasporës në Kosovë në vitin 2022 – qoftë në hotele, restorante apo biznese lokale – kanë kapur vlerën e rreth 1.9 miliard eurove.

Diaspora dërgon shuma të konsiderueshme parash edhe në formë të remitencave – vlera e të cilave, vitin e kaluar, ka arritur në 1.2 miliard euro. Por, prurjet e parave nga diaspora janë shumë nga 99-ta e përvit. Për të parë përmasat e remitancave të diasporës sonë, po i prezentojmë disa të dhënave të bëra tashmë publike nga institucione monetare ndërkomëtare që nga viti 2008 e deri më 2021, që janë të përafërta, por jo plotësisht të sakta, gjithsesi.

Të dhënat e institucioneve përkatëse të vendit flasin për shuma më të mëdha. Më 2008 në Kosovë prurjet e parave të mërgatës sonë kanë qenë 858 milionë euro, më 2009 – 865 milionë euro, më 2010 – 825 milionë, në vitin 2011 – 814 milionë euro, më 2012 – 775 milionë euro, 2013 – 867 milionë euro, 2014 – 901 milionë euro, 2015 – 796 milionë euro, 2016 – 808 milionë euro, 2017 – 911 milionë euro, 2018 – 1.13 miliard euro, 2019 – 1.23 miliard euro, 2020 – 980 milionë euro dhe 2021 – 1.14 miliard euro.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar në Kosovë 1 miliard e 443 milionë euro.

Banka Botërore thotë se që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë nga mërgata janë dërguar rreth 13 miliardë euro. Sipas BB-së, pjesëmarrja e remitencave në Prodhimin e Brendshëm Bruto të Kosovës është rreth 20 për qind. Këto janë para e madhe.

Dhe, siç dihet, deri më tash, këto para janë investuar kryesisht në buxhetet familjare, për mbijetesën e familjeve të diasporës në Kosovë dhe në vitet e fundit, mërgimtarët, janë përcaktuar që paranë e tyre ta investojnë goxha shumë edhe në blerjen e patundshmërive, kryesisht të banesave në qendra të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryeqytet. Fare pak, ose hiq, deri tani, paraja e mërgatës sonë është investuar në projekte industriale dhe prodhuese, në kapacitete që gjenerojnë kapital dhe vende të reja të punës dhe profit për investitorin eventual.

Për këtë flasin faktet: Mërgimtarët kosovarë kanë investuar shumë e shumë në blerje të patundshmërive. Sipas konfirmimeve të ndërtuessve në Kosovë, 68 deri në 70 për qind e blerësve të banesave në kryeqytet dhe në qendrat e tjera komunale të vendit, janë nga diaspora. Dhe, këto të dhëna, në njëfarë mënyre, flasin se deri më tash dolën të jenë të paefektshme deklarimet e shumta të zyrtarëve se “duhet që mjetet e diasporës të orientohen në jetësimin e projekteve investuese, dhe në këtë kuptim, duhet inkurajuar mërgatën tonë për të investuar paranë e tyre në vendlindje”.

As Qeveria aktuale e Kosovës, sikundër pararendëset, sado premtuese në favor të konkretizimit të investimeve me para të diasporës, nuk u treguan këmbëngulëse deri në fund, për të insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, as për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Thjesht, disa parashikime të kësaj Qeverie, sikur ajo për t’u emetuar bono thesari, të dedikuara për diasporën, nuk u dëshmuan se i bindën edhe aq bashkombasit tanë për të investuar paranë e tyre në vendlindje.

Mbase zyrtarët aktual të vendit, tani e tutje, do të jenë më kreativ dhe më intrigues në politikat vijuese për trajtimin e diasporës në përgjithësi dhe parasë së tyre në veçanti. Ende nuk është përmbushur as premtimi i autoriteteve të vendit, i bërë në Forumin e Bizneseve të Diasporës, të mbajtur kohë më parë në Prishtinë, se “janë duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor dhe janë duke zhvilluar një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet këtë vit”.

Mbetet për t’u parë se a do të bëjë ndonjë kthesë në favor të shndërrimit të mërgatës në pjesëmarrës në ekonominë e Kosovës, nëpërmjet Fondin Sovran, projekt ky i proklamuar zëshëm nga pushteti aktual i trasnformimit socio-ekonomik të Kosovës.

“Përmes votimit ju bëheni pjesëmarrës në demokraci në Kosovë. Përmes Fondit Sovran, ku ne synojmë ta bëjmë indeksimin e kompanive tona publike por edhe private në ekonominë e vendit, dëshirojmë që qytetarët e vendit përfshirë bashkatdhetarët t’i bëjmë aksionarë në ekonominë tonë. Pra, ta demokratizojmë ekonominë e ta bëjmë qytetarin pjesëmarrës jo vetëm në aspektin demokratik të cikleve elektorale por edhe të pjesëmarrjes në ekonomi e të zhvillimit të vendit tonë. Ne e synojmë një ditë kur edhe ndërmarrësit vendorë, por edhe bashkatdhetarët, në vend se ndoshta ta blejnë edhe një banesë shtesë diku në Prishtinë, të mund të blejnë 0.1% të aksioneve për shembull në Telekom, ne Trepçë apo në Korporatën Elektroenergjetike të Kosovës, apo në kompani private të cilat do të jenë të indeksuara”, ritheksoi këto ditë edhe një herë Kurti.

Po të realizohej ky vizion në një të ardhme, qoftë edhe jo shumë e afërt (Fondi Sovran ende është duke u diskutuar dhe shoshitur si mundësi), gjithsesi, do të ishte një mundësi e re për ta nxitur dhe për të jetësuar synimin për pjesëmarrjen e mërgatës në të gjitha proceset në Kosovë. /Buletini Ekonomik/