Po bëhen gati katër muaj që kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Por, paradoks më vete po konsiderohet fakti që në treg nuk vërehet ndonjë mungesë e produkteve të këtyre shteteve apo ndonjë rritje e çmimit konform taksës së aplikuar.
Disa qytetarë pohojnë se që nga vendosja e taksës nuk janë furnizuar më me produkte nga Serbia, por shprehen të habitur me faktin se si në vitrinat e dyqaneve vazhdojnë të jenë të pranishme pothuajse të gjitha produktet e prodhuara në Serbi, të cilat në treg kanë qenë edhe para vendimit të Qeverisë së Kosovës.
Blerimi është kuzhinier me profesion. Ai thotë se në dyqane nuk ka vërejtur mungesë të produkteve nga Serbia apo edhe nga Bosnja.
“Ka produkte të Serbisë…, ato nuk janë zhdukur. Është e pakuptueshme, pasi që ose në tregun e Kosovës ka pasur mall të Serbisë, si rezerva për një vit. Kjo është e çuditshme, këtu ka diçka të dyshimtë, deri më tani është dashur të ketë ndonjë mungesë”, thotë Blerimi.
Ndërkaq një qytetare tjetër nga Prishtina, Kimete Gashi, thotë se në disa dyqane të vogla ka mungesë të produkteve serbe, por, sipas saj, këto produkte nuk mungojnë kur bëhet fjalë për dyqanet e mëdha tregtare.
“Mendoj se ka mungesë të disa produkteve nga Serbia në markete të vogla, por jo në markete të mëdha. Megjithatë mendoj se këto prodhimet nga Serbia nuk po kërkohen aq shumë si më parë”, thekson ajo.
Qeveria e Kosovës më 6 nëntor të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur taksën doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo taksë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.
Kurse më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës mori vendim që të vendosë taksë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.
Që nga ajo periudhë, sipas të dhënave të Doganave të Kosovës, importet nga Serbia kanë rënë dukshëm. Ndërkaq prania e mallrave në tregun e Kosovës, sipas ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, është evidente për shkak se qytetarët më nuk po i blejnë këto produkte.
Në anën tjetër, ministri i Tregtisë, Turizmit dhe Telekomunikimit në Qeverinë e Serbisë, Rasim Lajiq, më herët ka thënë se mallrat nga Serbia mund të hasen në të gjithë Kosovën dhe se ato po arrijnë atje përmes rrugëve alternative, kryesisht përmes Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Zyrtarë të Doganës së Kosovës në një përgjigjeje për Radion Evropa e Lirë, kanë thënë se që nga vendosja e masës mbrojtëse, Dogana ka alokuar resurset e saj, në mënyrë që t’i përgjigjet rritjes eventuale të kontrabandës.
Sidoqoftë, Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganën e Kosovës thotë se shifrat flasin për nivel të njëjtë të numrit të tentim-kontrabandës, por i vetmi dallim, sipas tij, është që tani ka tentim të kontrabandës së mallrave ushqimore me vlera minimale që më herët nuk ka qenë tendencë.
Javën e kaluar, Dogana e Kosovës megjithatë ka konfiskuar mallra të kontrabanduara nga Serbia në vlerë prej 25 mijë euro.
Ndryshe, gruri ka qenë ndër produktet që është importuar në sasi më të mëdha nga shteti i Serbisë. Ai më pas është përpunuar në tregun e Kosovës. Aktualisht në treg nuk ka mungesë të grurit dhe produkteve të tij, por që, sipas shoqatës se mullisëve, rezervat janë duke u harxhuar.
Bashkim Zejnullahu, kryetar i Shoqatës se Mullisëve të Kosovës në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se çmimi i produkteve të grurit, nuk është rritur në tregun e Kosovës, kurse për sigurimin e grurit dhe miellit nga shtetet e rajonit dhe të Evropës është rritur dukshëm kostoja, çka vështirëson zhvillimin e veprimtarisë. Ai thotë se gruri i Serbisë përpunohet në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë hynë si produkt maqedonas.
Ai thotë se vendosja e taksës në aspektin politik mund të jetë e arsyeshme, por në aspektin afarist, nënvizon ai, kjo taksë ka krijuar problem.
“Probleme nuk ka me furnizim, por është rritur shumë çmimi. Nuk besoj se taksa do të reflektojë në çmim, por industria komplet pritet të falimentojë. Sepse nuk kemi mundësi ne të paguajmë 30-40 euro tonin e grurit më shtrenjtë nëse vijnë nga shtet tjera si Kroacia, Hungaria apo edhe nga tregu rus që aktualisht është duke ardhur. Ne jemi më të shtrenjtë se sa janë prodhuesit në Maqedoni dhe ata nuk na lejojnë, ata nuk krijojnë mundësi më ngit çmimin, por nuk jemi duke punuar”, tha Zejnullahu.
Sipas shifrave zyrtare, thuhet se gjatë vitit 2016, në Kosovë janë importuar 37 milionë kilogramë miell në vlerë prej 8 milionë euro, kurse gjatë këtij viti nga shteti i Serbisë në Kosovë, kanë hyrë 22 milionë kilogramë miell, që kalon shifrën prej 4 milionë euro.
Në anën tjetër, sektori i ndërtimtarisë që konsiderohet një nga sektorët më të mëdhenj në Kosovë, thuhet se nuk kanë ndonjë problem me sigurimin e materialit të nevojshëm.
Faton Hoxha, kryetar i Shoqatës se Ndërtimtarëve në Kosovë, thotë se taksa nuk ka ndikuar te sigurimi i materialit ndërtimor, disa problem ka pasur me sigurimin e drurit, por kjo shpejtë është mbuluar nga Mali i Zi.
“Deri më tani nuk ka ndonjë shqetësim eventual nga kompanitë në Kosovë, lidhur më mungesën e ndonjë produkti”, tha Hoxha.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po kërkojnë nga Prishtina zyrtare që të pezullojë këtë taksë, në mënyrë që t’i jepet mundësi vazhdimit të dialogut në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk do të marrë pjesë në dialog, pa u hequr taksa.
Por, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj po këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia ta njoh pavarësinë e Kosovës.