BANKA BOTËRORE: SHËRBIMET E TRANSPORTIT NË KOSOVË JOCILËSORE

Kosova, sikurse edhe vende tjera më të varfëra si Moldavia, Armenia dhe Bosnja, është ranguar shumë poshtë edhe për nga shpejtësia edhe për nga përballueshmëria e çmimit të lidhjeve të transportit të brendshëm për udhëtarë, në raportin më të ri të Bankës Botërore, “Konektiviteti kritik: Promovimi i Rritjes dhe Rimëkëmbshmërisë Ekonomike në Evropë dhe Azi Qendrore”.

Raporti po ashtu thotë se Kosova ofron për udhëtarët globalë shërbime të transportit me çmime shumë të ulëta por me një cilësi të zvogëluar, për dallim prej vendeve të Evropës Perëndimore që kanë autostrada dhe hekurudha të avancuara dhe çmime të përballueshmë për udhëtarët e tyre lokalë, shkruan Buletini Ekonomik.

Kur është fjala për transportin e kontejnerëve, Kosova, sikurse edhe Armenia, Greqia, IRJ e Maqedonisë dhe Turqia, ka rezultuar të ketë konektivitet relativisht më të mirë në aspektin e kostos se sa në aspektin e kohës. E kundërta është me Malin e Zi, Norvegjinë, Slloveninë dhe disa vende tjera që kanë konektivitet relativisht më të mirë në aspektin e kohës se sa të kostos në transportin e kontejnerëve.

Reklama e sponzorizuar

Raporti thotë se për të kuptuar specifikat e një vendi kërkohet studim i faktorëve institucionalë, kualitetit të logjistikës, dhe konkurrueshmërisë së sektorit të transportit. Vendet e Ballkanit Perëndimor si grup kanë rritur konektivitetin e tyre për vetëm 10% në periudhën 2000-2014. /Buletini Ekonomik/