Tre muajt e fundit të 2018-ës Qeveria shpenzoi mbi 600 milionë euro

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar llogaritë Qeveritare të Kosovës në bazë tremujore.

Ky botim, siç bëhet e ditur në komunikatën dërguar mediave, paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe (TM4 2018).

“Shuma e përgjithshme e të hyrave të Qeverisë për TM4 2018 ishte 500.7 milionë Euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 71% të totalit të të hyrave, ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar

Në TM4 2018, thuhet tutje, totali i përgjithshëm i shpenzimeve të Qeverisë ishte 648.2 milionë Euro.

“Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë formimi i kapitalit bruto (33%), kompensimi i punëtorëve (24%), kontributet sociale dhe përfitimet (21%), dhe konsumi i ndërmjetëm (12%). Ndërsa, pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në struktura të tjera të shpenzimeve”, thuhet tutje.