Vëllai i Presidentit zgjerohet në biznesin me ndërtime, nisë banesë shumëkatëshe

Në vitin 2018, kompania ndërtimore “Iliria Building”, ku hisedar është edhe Blerim Thaçi, vëllai i vogël i Presidentit, është pajisur me leje ndërtimore nga komuna e Prishtinës, për ndërtim të lartë, jo shumë larg qendrës së kryeqytetit. Ky është investimi i dytë milionësh i kësaj kompanie pas kompleksit banesor në lagjen Mati 1, të ndërtuar në vitin 2012.

Vëllait të vogël të Presidentit, Blerimit, duket se po i ecën mirë biznesi me ndërtime. Kompania “Iliria Building”, ku ai është hisedar, ka filluar të zgjerohet me ndërtime edhe në pjesë tjera të kryeqytetit, pas ndërtimit në vitin 2012 të një kompleksi banesor milionësh në lagjen Mati 1.

Gjatë këtij viti, “Iliria Building” dhe kompania “Fitorja”, kanë nisur së ndërtuari një banesë shumëkatëshe, e cila sipas dokumenteve që posedon Buletini Ekonomik, është pajisur me leje ndërtimore në vitin 2018 nga komuna e Prishtinës.

Reklama e sponzorizuar

Banesa, siç shihet edhe nga fotografitë e realizuara nga Buletini Ekonomik, ndodhet në lagjen e Muhaxherëve, jo shumë larg qendrës së qytetit, përkatësisht tek ndërtesat përballë kampusit universitar.

Për këtë ndërtim, komuna e Prishtinës, kishte leshuar edhe leje ndërtimore, vitin e kaluar.

“I lejohet bashkpronarëve dhe investitorit “Iliria Building&Fitorja” nga Prishtina me përfaqësues Tahir Maloku, Milaim Cakiqi dhe Blerim Thaçi, sipas kërkesës për leje ndërtimore banesore/afariste –“Objekti 1” me etazhitet –B+S+P+12, në kuadër të bllokut urban “A/a-01”, Tërësia “A”, të planit rregullues “Muhaxhirët” në Prishtinë”, thuhet në lejen ndërtimore, një kopje të te cilës e posedon Buletini Ekonomik.

Ndërkohë ky kompleks është i dyti që “Iliria Building” po realizon në Prishtinë. Të parin e kishte ndërtuar në vitin 2012, në lagjen Mati 1, një kompleks milionësh banesor. “Blloku A 21”, siç quhet kompleksi i parë ndërtuar nga Iliria Building, është i ndarë në dy objekte në të cilët janë planifikuar të ndërtohen 102 banesa. Bazuar në deklarimet e kompanive të ndërtimit, kostoja mesatare e ndërtimit të këtyre banesave shkon deri në 4 milionë euro ndërsa mesatarja që sigurohet nga shitja e tyre shkon deri në 7-8 milionë euro. 

Blerim Thaçi, i vëllai i vogël i Presidentit, sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, është hisedari i tretë në “Iliria Building”. Ai është po ashtu partner i Milaim Cakiqit, një biznesmeni nga Drenasi. /Buletini Ekonomik/