Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se lojërat e fatit në territorin e Kosovës do të mbyllen përfundimisht.
Në një adresim para mediave, Veseli tha se do të ketë seancë të jashtëzakonshme edhe për situatën e krijuar mes SBASHK-ut dhe MASHT-it për orët e humbura gjatë kohës së grevës.
“Lojërat e fatit do të mbyllen përfundimisht dhe sot e kemi pikë të rendit të ditës, është seancë të jashtëzakonshme. Po ashtu seancë e jashtëzakonshme për situatën mes SBASHK-ut dhe MASHT-it për orët e humbura. Me datën 11 prill do të kemi seancë që do të jetë për pikët e papërfunduara të hapura nga seancat e kaluara. Seancë të rregullt do të kemi ditën e premte”, ka thënë Veseli, raporton KTV.
Tutje, ai foli edhe për liberalizimin e vizave, për ç’gjë ka kritikuar BE-në.
“Çdo vonesë që po ndodh nga BE-ja për vizat për Kosovën e dëmton vet kredibilitetin e BE-së. Kosova i ka përmbushur kërkesat, por qytetarët kosovarë nuk mund të lëvizin lirshëm. Të rinjtë tanë po na i marrin, ndërsa ka ngecur procesi i liberalizimit të vizave”, u shpreh ai.
Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se debati në Kuvendin e Kosovës për orët e humbura në sistemin arsimor, ka për qëllim që SBASHK-u dhe MASHT-i të gjejnë një formë për kompensimin e tyre.
Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku tha se nuk bëhet fjalë për orë të humbura, por për minus të njësive mësimore.
“Nuk janë vetëm orë të humbura, jemi të gjithë dakord se nuk janë orë të humbura në një fabrikë, por minus në njësi mësimore. Debati ka për qëllim që të dalim me rekomandime që sindikata dhe MASHT-i të gjejnë një formë për t’i kompensuar të gjitha këto”, tha Sherifi.